Walz-i e pranon nominim si kandidat demokrat për nënpresident të ShBA-së
Guvernatori i Minesotës, Tim Walz, e ka pranuar nominimin e Partisë Demokratike për kandidat për nënpresident të ShBA-së.
“Ju mund të mos e dini, por unë nuk kam mbajtur shumë fjalime të mëdha si ky, por kam mbajtur shumë fjalime kurajuese” – tha ai gjatë përmbylljes së Konventës Kombëtare Demokrate në Chicago, raporton gazeta “The Guardian”.
Kandidati për nënpresident foli edhe për të kaluarën e tij dhe prejardhjen nga një zonë rurale. “Unë jam rritur në Butte, Nebraska, qytezë me 400 njerëz. Kisha 24 fëmijë në klasën time në shkollë të mesme dhe asnjëri prej tyre nuk shkoi në Universitetin Yale” – tha ai, duke e goditur rivalin e tij republikan, JD Vance.
Walz-i e përmendi edhe të kaluarën e tij në shërbim ushtarak, të cilën republikanët e kanë sulmuar me fjalë ditëve të fundit, si dhe punën si mësimdhënës në një shkollë publike në Minesota, ku kishte dhënë mësim për studime sociale dhe kishte drejtuar një ekip të shkollës së mesme në futboll. “Kurrë mos nënvlerësoni një mësues të shkollës publike” – tha ai.
Fjalimi i tij u mbajt në fund të një mbrëmjeje tjetër dinamike në konventën e demokratëve. Audiencës iu drejtuan edhe ish-presidenti amerikan, Bill Clinton, ish-kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, si dhe yjet në ngritje të Partisë Demokratike, guvernatori i Marylandit, Wes Moore, e sekretari i Transportit, Pete Buttigieg. Paraqitje patën edhe humoristi Kenan Thompson e aktorja Mindy Kaling.
Sidoqoftë, ndoshta fjalimi që la më së shumti përshtypje ishte ai i një mysafireje të papritur, Oprah Winfrey, e cila ka një emision të njohur televiziv dhe është e pavarur politikisht. Ajo iu bëri thirrje figurave të tjera që nuk kanë anime politike që t’u bashkohen demokratëve Harris e Walz.
“Vlerat dhe karakteri kanë peshë më së shumti. Në udhëheqësi dhe në jetë, dhe më shumë se gjithçka, ju e dini se kjo është e vërtetë: denjësia dhe respekti janë në kutinë e votimit më 2024” – tha ajo.
Zgjedhjet presidenciale në ShBA do të mbahen më 5 nëntor të këtij viti. Sipas sondazheve të reja, zonja Harris është duke shënuar rezultate më të mira në anketa në krahasim me presidentin në largim, Joe Biden, përballë rivalit republikan, Donald Trump./Nacionale