“Vuajtje e rëndë”: OKB-ja i bën thirrje ShBA-së kundër ekzekutimit të parë me gaz azoti - NACIONALE

“Vuajtje e rëndë”: OKB-ja i bën thirrje ShBA-së kundër ekzekutimit të parë me gaz azoti

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Ekspertët e Kombeve të Bashkuara u bënë thirrje të mërkurën autoriteteve të ShBA-së që të mos e kryejnë ekzekutimin e planifikuar të një të burgosuri me gaz azoti, duke thënë se kjo metodë mund ta bëjë të dënuarin subjekt të “trajtimit mizor, çnjerëzor ose degradues e madje edhe torturës”.

Kenneth Smith, i dënuar për një vrasje të vitit 1988, planifikohet që të ekzekutohet në Alabama më 25 janar përmes kësaj metode, me të cilën synohet që burri të mbetet pa oksigjen përmes përdorimit të një maske në fytyrë, të lidhur me një cilindër azoti, raporton agjencia “Reuters”.

Smith-i, 58 vjeç, është njëri nga dy personat e gjallë në ShBA që u kanë mbijetuar përpjekjeve për ekzekutim, pasi Alabama e kishte anuluar ekzekutimin e caktuar më parë përmes injeksionit vdekjeprurës në nëntor të vitit 2022, kur disa përpjekje për t’i gjetur të dënuarit një vijë intravenoze kishin dështuar.

“Kjo do të jetë përpjekja e parë për ekzekutim me hipoksi azotike”- thuhet në një deklaratë të katër Raportuesve të Posaçëm të OKB-së, ku shtohet se kjo metodë mund të shkaktojë “vuajtje të rëndë” dhe ka gjasa që të jetë në kundërshtim me ndalimin e përdorimit të torturës e ndëshkimeve të tjera mizore, çnjerëzore e degraduese.

“Ne jemi të shqetësuar se hipoksia azotike mund të rezultojë në vdekje të dhimbshme e poshtëruese”- thuhet më tej në deklaratën e ekspertëve të OKB-së.

Avokatët e të dënuarit me vdekje kanë thënë se protokolli i patestuar për përdorim të gazit mund ta shkelë ndalimin e “ndëshkimeve mizore e të pazakonshme”Kushtetutën e ShBA-së dhe kanë argumentuar se përpjekja e dytë për ekzekutimin e këtij personi me çfarëdo metode është antikushtetuese.

Shumica e të dënuarve me vdekje në ShBA ekzekutohen me dozë vdekjeprurëse të barbiturateve, por disa shtete kanë pasur vështirësi për t’i siguruar këto substanca për shkak të një ligji të Bashkimit Evropian, me të cilin kompanive farmaceutike u ndalohet shitja e pilulave që mund të përdoren për ekzekutime në burgje.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme