Vritet një figurë e lartë e Hamasit nga sulmi ajror izraelit në Deir al-Balah të Gazës
Një figurë e lartë e krahut të armatosur të Hamasit ishte në mesin e shtatë të vrarëve të enjten nga dy sulme ajrore izraelite në Deir al-Balah, në pjesën qendrore të Gazës, tha një burim brenda Hamasit.
Ushtria izraelite nuk iu përgjigj menjëherë kërkesave për koment rreth incidentit. Burimi brenda Hamasit tha se njëri nga të vdekurit është Mohammed Al-Holy, komandant lokal në krahun e armatosur të grupit në Deir al-Balah, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Hamasi i dënoi sulmet ndaj familjes Al-Holy, në një deklaratë ku nuk i përmendi Mohammedin ose rolin e tij brenda grupit. Në deklaratë, Izraeli u akuzua për shkeljen e marrëveshjes së armëpushimit që është në fuqi nga tetori si dhe për përpjekje për ta rinderzuar konfliktin.
Zyrtarët shëndetësorë thanë se në mesin e gjashtë të vdekurve të tjerë ishte një 16-vjeçar.
Izraeli dhe Hamasi e kanë akuzuar njëri-tjetrin për shkelje të armëpushimit dhe mbeten larg me qëndirme rreth çështjeve kyçe, edhe pse Shtetet e Bashkuara të mërkurën e njoftuan fillimin e fazës së dytë të marrëveshjes.
Më shumë se 400 palestinezë dhe tre ushtarë izraelitë raportohet të jenë vrarë që nga hyrja në fuqi e armëpushimit në tetor.
Izraeli ka rrënuar ndërtesa dhe i ka urdhëruar banorët që të largohen nga më shumë se gjysma e territorit të Gazës, ku mbeten ende trupat izraelite. Gati tërë popullsia prej më shumë se 2 milionë banorësh tani jetojnë në shtëpi të improvizuara ose në ndërtesa të dëmtuara në një rrip të ngushtë territori nga i cili janë tërhequr ushtarët izraelitë dhe Hamasi e ka rivendosur kontrollin.
Agjencia për fëmijë e Kombeve të Bashkuara tha të martën se mbi 100 fëmijë janë vrarë në Gaza që nga hyrja në fuqi e armëpushimit, përfshirë disa viktima të sulmeve me dronë./Nacionale