Vritet nga policia në trafik amerikani që u fal para disa ditëve nga Trumpi
Një burrë nga Indiana e Shteteve të bashkuara u qëllua për vdekje nga një polic gjatë një ndaljeje në trafik vetëm disa ditë pasi atij i ishte falur nga presidenti Donald Trump për një kundërvajtje që lidhej me trazirat në Capitol më 2021.
Matthew Huttle, 42 vjeç, u vra të dielën nga një polic në distriktin Jasper, thanë autoritetet, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.
Policia shtetërore është duke e hetuar rastin dhe ka thënë se polici po mundohej që ta arrestonte të dyshuarin, kur “ndodhi një zënkë mes të dyshuarit dhe oficerit, e cila rezultoi në shkrepjen e armës nga oficeri dhe plagosjen fatale të të dyshuarit”.
“Hetimi gjithashtu tregon se gjatë ndaljes në trafik, i dyshuari kishte në posedim një armë zjarri”, shtoi policia shtetërore.
Nuk u publikuan hollësi të tjera. Autoritetet nuk treguan se çfarë mund ta kishte nxitur ndaljen në trafik të të dyshuarit.
“Ngushëllimet tona shkojnë për familjen e të ndjerit, pasi cilado humbje e jetës është traumatike për ata që ishin të afërt me z. Huttle” – tha komandanti lokal i policisë, Patrick Williamson.
Më 2023, Huttle ishte dënuar me gjashtë muaj ndalim, pasi ishte deklaruar fajtor për hyrje në një ndërtesë të ndaluar, në Capitol. Ai kishte udhëtuar me dajën e tij për në Uashington për të marrë pjesë në tubimin pro Trumpit më 6 janar 2021. Huttle ishte brenda ndërtesës së Capitol-it për 16 minuta dhe e kishte incizuar hyrjen në video./Nacionale