Vritet nga një sulm izraelit motra e udhëheqësit të Hamasit, Ismail Haniyeh
Përmes një deklarate, Hamasi konfirmoi të martën një raportim të mëhershëm se motra e udhëheqësit të këtij grupi, Ismail Haniyeh, ishte vrarë gjatë një sulmi ajror natën e kaluar në kampin “Shati” të qytetit Gaza.
Ushtria izraelite tha më herët të martën se aeroplanët luftarakë të saj kishin goditur dy ndërtesa në kampin “Shati” të lagjes Daraj në qytetin Gaza, që dyshohej se po përdoreshin nga Hamasi. Sipas ushtrisë izraelite, në mesin e viktimave kishte terroristë që kishin marrë pjesë në sulmin e 7 tetorit dhe ishin të përfshirë në mbajtjen e pengjeve, raporton gazeta “The Times of Israel”.
Hamasi tha se të paktën dhjetë persona u vranë nga sulmi në kampin “Shati”, përfshirë motrën e Haniyeh-it, dhe tetë anëtarë të së njëjtës familje u vranë nga sulmet në Daraj, ku u vunë në shënjestër dy shkolla, njëra prej të cilave ishte nën menaxhimin e agjencisë së OKB-së për refugjatë palestinezë, UNRWA.
Grupi palestinez tha se e mban “administratën e presidentit amerikan, Joe Biden, përgjegjëse për vazhdimin e luftës” dhe se u bën thirrje “kombeve arabe e islame dhe popujve të lirë të botës që ta intensifikojnë mobilizimin e tyre në të gjitha nivelet dhe ta rrisin presionin për ta ndalur agresionin”.
Forcat e Mbrojtjes të Izraelit thanë në një deklaratë se kishin kryer vëzhgim nga ajri dhe kishin përdorur “municione precize” e forma të tjera të inteligjencës për ta zvogëluar dëmin ndaj civilëve në sulme dhe se “organizata terroriste e Hamasit vazhdimisht e shkel të drejtën ndërkombëtare përmes shfrytëzimit sistematik të strukturave civile dhe përdorimit të popullsisë civile si mburoja njerëzore për aktivitetin e vet të terrorit kundër Izraelit”.