Vritet në Gaza bashkë me disa familjarë gazetari Hassan Abu Warda
Gazetari palestinez, Hassan Majdi Abu Warda, u vra bashkë me disa anëtarë të familjes në Jabalia të Gazës të dielën, pasi shtëpia e tij u godit nga një sulm ajror i forcave izraelite.
Nga një sulm tjetër ajror në Nuseirat u vra Ashraf Abu Nar, zyrtar i lartë në shërbimin emergjent civil, bashkë me gruan e tij në shtëpinë e tyre, thanë mjekët, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Zyra mediale qeveritare në Gaza, e cila menaxhohet nga Hamasi, tha se vdekja e Abu Warda-s e çoi në 220 numrin e përgjithshëm të gazetarëve palestinezë të vrarë nga tetori i vitit 2023, kur filloi lufta.
Ushtria izraelite than ë një deklaratë se komandanti i Shtabit të Përgjithshëm, Eyal Zamir, i vizitoi trupat në Khan Younis të Gazës të dielën, duke u thënë se “kjo nuk është një luftë e pafund” dhe se Hamasi i ka humbur shumicën e aseteve të veta, përfshirë komandën dhe kontrollin.
“Ne do të dislokojmë çdo mjet që është në dispozicionin tonë për t’i sjellë pengjet në shtëpi, për ta shpërbërë Hamasin dhe për ta shpërbërë qeverisjen e tij” – citohet të ketë thënë komandanti i ushtrisë izraelite. Në deklaratë nuk u përmendën sulmet e së dielës.
Më vonë të dielën, Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq tha në një deklaratë se dy pjesëtarë të stafit – Ibrahim Eid dhe Ahmad Abu Hilal – ishin vrarë nga një sulm në një shtëpi në Kham Younis të shtunën.
Në një deklaratë, zyra mediale në Gaza tha se forcat izraelite kishin nën kontroll 77 për qind të territorit të Gazës, qoftë përmes forcave tokësore, qoftë përmes urdhrave të evakuimit dhe bombardimeve që i kanë detyruar banorët të qëndrojnë larg shtëpive të tyre.