Vriten tre ushtarë izraelitë nga një shpërthim në Gaza
Tre ushtarë izraelitë u vranë dhe dy të tjerë u plagosën nga një mjet shpërthyes gjatë operacioneve në Jabalia të Gazës të hënën në mbrëmje, njoftoi ushtria izraelite.
Ushtarët e vrarë u identifikuan si Rreshter Stafi Lior Steinberg, 20 vjeç, mjek ushtarak nga Petah Tikva. Rreshter Stafi Ofek Barhana, 20 vjeç, mjek ushtarak, nga Yavne, dhe Rreshter Stafi Omer Van Geler, 22 vjeç, komandant skuadre nga Maale Adumim, raporton gazeta “The Times of Israel”.
Të tre shërbenin në Batalionin “Rotem” të Brigadës “Givati”. Gjatë incidentit në Jabalia, ata ishin duke operuar në një grup nën urdhrat e Batalionit të 9-të të Blinduar.
Sipas një hetimi fillestar të ushtrisë izraelite, pesë trupat ndodheshin në një automjet të tipit “Humvee” në Jabalia, kur u goditën nga një mjet shpërthyes që ishte vendosur nga militantët.
Dy ushtarët e tjerë të plagosur thuhet se kanë pësuar lëndime me ashpërsi mesatare.
Ushtarët në automjetin “Humvee” ishin duke përcjellë një zjarrfikëse ushtarake që kishte hyrë në Gaza për ta fikur zjarrin në një automjet për bartjen e personelit, i cili ishte kapluar nga flaka në rrethana të paqarta, sipas hetimit.
Gjatë largimit nga Jabalia, autokolona u godit nga disa mjete shpërthyese, njëra nga të cilët e goditi drejtpërdrejt automjetin “Humvee”, duke vrarë tre e duke plagosur dy ushtarë. Hollësitë e tjera janë nën hetim nga ushtria.
Vdekja e këtyre tre ushtarëve e çon në 423 numrin e përgjithshëm të trupave izraelite që janë vrarë gjatë ofensivës tokësore kundër Hamasit në Gaza dhe gjatë operacioneve ushtarake përgjatë kufirit me enklavën palestineze. Në këtë numër përfshihen dy policë dhe tre kontraktorë civilë të Ministrisë së Mbrojtjes./Nacionale