Vriten nga raketa gjashtë fëmijë që po merrnin ujë në Gaza, ushtria izraelite fajëson një “keqfunksionim” - NACIONALE

Vriten nga raketa gjashtë fëmijë që po merrnin ujë në Gaza, ushtria izraelite fajëson një “keqfunksionim”

1 vit më parë

nga NACIONALE

Të paktën tetë palestinezë, shumica prej tyre fëmijë, u vranë dhe më shumë se dhjetë të tjerë u plagosën në pjesën qendrore të Gazës të dielën, kur ata shkuan për të marrë ujë, thanë zyrtarët lokalë, nga një sulm izraelit për të cilin ushtria tha se e huqi cakun.

Ushtria izraelite tha se qëllimi i raketës ishte që të godiste një militant të Xhihadit Islam në atë zonë, por se një keqfunksionim ndikoi që ajo të binte “dhjetëra metra larg cakut”, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Forcave të Mbrojtjes të Izraelit u vjen keq për çfarëdo lëndimi ndaj civilëve të papërfshirë” – tha ushtria izraelite në një deklaratë, duke shtuar se incidenti ishte duke u analizuar.

Nga sulmi u godit një pikë për shpërndarjen e ujit në kampin e refugjatëve “Nuseirat”, duke lënë të vrarë gjashtë fëmijë e duke plagosur 17 të tjerë, tha Ahmed Abu Saifan, mjek i emergjencës në spitalin “Al-Awda”.

Mungesa e ujit në Gaza është përkeqësuar dukshëm në javët e fundit. Mungesa e karburantit ka ndikuar që qendrat e shkripëzimit dhe sanitarisë të mbyllen, duke i lënë njerëzit të varur nga qendrat e grumbullimit, ku mund t’i mbushin rezervuarët e shishet e tyre të plastikës.

Disa orë më vonë, 12 njerëz u vranë nga një sulm izraelit ndaj një tregu në Qytetin Gaza, përfshirë një konsulent të njohur spitalor, Ahmad Qandil, raportuan mediat palestineze. Ushtria izraelite nuk e komentoi menjëherë sulmin.

Ministria e Shëndetësisë në Gaza tha të dielën se numri i përgjithshëm i njerëzve të vrarë në enklavën palestineze që nga fillimi i luftës mes Izraelit dhe Hamasit në tetorin e vitit 2023 ka shkuar në më shumë se 58.000. Sipas kësaj ministrie, 139 njerëz u vranë vetëm në 24 orët e fundit.

Në shifrat e Ministrisë së Shëndetësisë nuk bëhet dallimi mes civilëve dhe luftëtarëve, por ky institucion thotë që më shumë se gjysma e viktimave janë gra e fëmijë./Nacionale

Lajme të ngjashme