Vriten në Gaza pesë punonjës të agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë - NACIONALE

Vriten në Gaza pesë punonjës të agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Pesë pjesëtarë të stafit të agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë, UNRWA, janë vrarë ditëve të fundit, tha të enjten komisioneri i përgjithshëm i kësaj agjencie, Philippe Lazzarini.

“Në ditët e fundit, pesë pjesëtarë të tjerë të stafit të UNRWA-së janë konfirmuar të vrarë, duke e çuar numrin e të vdekurve në 284. Ata ishin mësues, mjekë e infermierë: duke u shërbyer njerëzve më të ndjeshëm” – shkroi Lazzarini në një deklaratë të publikuar në rrjetin X, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Lazzarini tha se ka frikë që më e keqja ende nuk ka ardhur, përderisa bombardimet e forcave izraelite vazhdojnë nga toka e deti, si dhe në kohën kur po vazhdon një operacion tokësor.

Të mërkurën, sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, i dënoi sulmet ndaj personelit të organizatës, pasi një anëtar stafi i Zyrës për Shërbime të Projekteve të OKB-së vdiq, kur dy bujtina të OKB-së në Deir al Balah u goditën nga sulmet.

Më herët të enjten u raportua se të paktën 58 palestinezë u vranë gjatë sulmeve izraelite natën e kaluar në Gaza, sipas spitaleve lokale.

Vetëm të martën, në Gaza u raportua për më shumë se 400 palestinezë të vrarë. Bashkimi Evropian i ka thënë Izraelit se rinisja e operacioneve ushtarake në enklavën palestineze është e papranueshme./Nacionale

Lajme të ngjashme