Vriten dy të rritur e një fëmijë në Teksas: Sulmuesi vodhi dy vetura, por u kap nga policia
Një person i armatosur hapi zjarr në parkingun e një dyqani të kompanisë “Target” në kryeqytetin e Teksasit, duke vrarë dy të rritur e një fëmijë, para se të vidhte dy vetura gjatë ikjes që përfundoi me përdorimin e shokut elektrik nga policia për ta ndalur atë në anën tjetër të qytetit, thanë autoritetet.
Komandantja e policisë në Austin, Lisa Davis, tha se i dyshuari është burrë në të tridhjetat me “histori të shëndetit mendor”. Policia tha se ende ishte duke punuar për ta zbuluar motivin e sulmit, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.
I dyshuari iku nga vendi i ngjarjes me një veturë të vjedhur, e prishi atë dhe pastaj vjedhi një tjetër nga një shitore veturash, tha komandantja Davis. Ai u kap nga autoritetet rreth 30 kilometra larg vendit të ngjarjes, në jug të qytetit Austin, ku më pas u dërgua në mbajtje, tha zonja Davis në një konferencë për gazetarë.
Ajo shtoi se policët që iu përgjigjën një thirrjeje rreth orës 14 e 15 minuta gjetën tre persona të qëlluar me armë në parkingun e dyqanit “Target”. Davis tha më tej se policia beson që njëri prej personave të goditur me armë ishte pronari i veturës së vjedhur nga parkingu.
Një i rritur dhe një fëmijë u shpallën të vdekur në vendin e ngjarjes, ndërsa një i rritur tjetër vdiq pasi u dërgua në spital, sipas Shërbimeve Mjekësore Emergjente të distriktit Austin-Travis. Zyrtarë të këtij shërbimi thanë se një person tjetër u trajtua për një aneksë të vogël mjekësore që nuk ishte e lidhur me lëndime traumatike.
“Kjo është një ditë shumë e pikëlluar për Austinin. Është ditë shumë e pikëlluar për të gjithë ne dhe ngushëllimet e mia për familjet” – tha zonja Davis, duke shtuar se nuk kishte të dhëna për të publikuar rreth viktimave.
Kompania “Target” tha në një deklaratë se është “e shkatërruar” nga ajo që ndodhi. “Zemrat tona janë me familjet dhe të dashurit e atyre që e humbën jetën, ekipin tonë në Austin dhe të gjithë ata që u prekën nga kjo tragjedi” – thuhet në deklaratë./Nacionale