Vrasjet në Bucha, Ukraina akuzon Rusinë për masakër civile - NACIONALE

Vrasjet në Bucha, Ukraina akuzon Rusinë për masakër civile

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Autoritetet ukrainase thanë të dielën se pas tërheqjes së ushtarëve ruse nga periferitë e Kievit, trupat ukrainase gjetën civilë të vrarë brutalisht, me duar të lidhura, plagë me armë zjarri në kokë dhe shenja torture.

Pamjet e publikuara nga rrugët e Bucha-s, një qytet i vogël në veriperëndim të kryeqytetit, bënë që autoritetet ukrainase të bëjnë thirrje për hetim të krimeve të luftës si dhe për sanksione të reja kundër Rusisë.

Gazetarët e Associated Press në Bucha, panë trupat e të paktën nëntë personave me rroba civile, të cilët dukej se ishin vrarë nga një distancë e afërt. Të paktën dy nga ta, i kishin duart e lidhura pas shpine. Ata gjithashtu panë dy trupa të mbështjellë me qese plastike, të lidhur me shirit dhe të hedhur në një kanal.

Autoritetet thanë se po dokumentonin prova të mizorive për t'i shtuar në çështjen e hapur për ndjekjen penale të zyrtarëve rusë për krime lufte. Në mënyrë që të dënohen autorët, prokurorët e Gjykatës Penale Ndërkombëtare do të duhet të tregojnë një model të sulmeve vdekjeprurëse ndaj civilëve gjatë pushtimit të Rusisë.

Këshilltari i presidentit ukrainas, Oleksiy Arestovych, tha se dhjetëra banorë u gjetën të vrarë në rrugët e Bucha dhe periferitë e Kievit, në Irpin dhe Hostomel në atë që e përshkroi si një "skenë nga një film horror".

Arestovych, tha se disa njerëz ishin qëlluar në kokë me duar të lidhuara, ndërsa në disa trupa kishte shenja torture. Ai shtoi se ka pasur gjithashtu raportime për përdhunime.

Banorët vendas thanë se personat e vdekur ishin civilë të vrarë pa provokim. Ndërsa, kryetari i Kievit, Vitali Klitschko tha për gazetën gjermane Bild se "ajo që ndodhi në Bucha dhe periferitë e tjera të Kievit mund të përshkruhet vetëm si gjenocid," duke u bërë thirrje vendeve të tjera që të ndalojnë menjëherë importet e gazit rus, në mënyrë që të mos financohen vrasjet.

“Asnjë qindarkë nuk duhet të shkojë më në Rusi. Këto janë para të përgjakshme që përdoren për të masakruar njerëz. Embargoja e gazit dhe naftës duhet të vijë menjëherë”, tha kryetari.

Trupat ruse u vendosën në Ukrainë nga tre anët më 24 shkurt dhe ushtarët që hynë nga veriu i Bjellorusisë kaluan javë të tëra duke u përpjekur të hapnin rrugën për në Kiev. Por, për shkak të resiztencës së vendosur ukrainase, përparimi i tyre ngeci - me Moskën që tha këtë javë se do ta përqendronte pushtimin diku tjetër.

E pas tërheqjes së trupave ruse nga veriu për në Bjellorusi, shenjat e luftimeve të ashpra ishin kudo - automjete të blinduara të shkatërruara nga të dyja ushtritë shtriheshin në rrugë dhe fusha së bashku me pajisje ushtarake të shpërndara. Ndërsa, ushtria ukrainase ka njoftuar se janë duke kontrolluar zonën për mina, të vdekur dhe për çdo luftëtar rusë të mbetur.

Thirrje për sanksione më të ashpra kundër Rusisë, bëri edhe Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba. Ai përmes një postimi në Twitter tha se "masakra e Bucha-s ishte e qëllimshme", duke pretenduar se "rusët synojnë të eliminojnë sa më shumë ukrainas të munden".

Për trupat e vrarë në Bucha, pati reagime të shumta edhe nga liderët botërorë.

Charles Michel, presidenti i Këshillit Evropian, tha se ishte i tronditur nga "imazhet e tmerrshme të mizorive të kryera nga ushtria ruse" në rajonin e kryeqytetit duke premtuar "sanksione të mëtejshme të BE-së" kundër Rusisë.

Ndërkohë, edhe Ministrat e jashtëm të Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Britanisë së Madhe dënuan veçmas këto imazhe dhe thanë se Rusia do të mbante përgjegjësi.

“Ne nuk do të lejojmë Rusinë të mbulojë përfshirjen e saj në këto mizori përmes dezinformatave cinike dhe do të sigurojmë që realiteti i veprimeve të Rusisë të dalë në dritë”, tha Sekretarja e Jashtme britanike Liz Truss.

Ndërsa, Rusia është deklaruar se trupat e saj po i drejton në Ukrainën lindore, ku separatistët e mbështetur nga Rusia janë në luftime me forcat ukrainase për tashmë tetë vite.

Lajme të ngjashme