Von der Leyen shkon prapë në Ukrainë para publikimit të raportit të BE-së - NACIONALE

Von der Leyen shkon prapë në Ukrainë para publikimit të raportit të BE-së

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, arriti të shtunën në Kiev para një raporti që Bashkimi Evropian pritet ta paraqesë javën e ardhshme rreth përparimit të Ukrainës në rrugën e saj për anëtarësim në këtë bllok.

“Mirë që po kthehem në Kiev për vizitën time të gjashtë në kohë lufte. Jam këtu për ta diskutuar rrugën e pranimit të Ukrainës në BE”- shkroi zyrtarja e lartë evropiane në rrjetin X, ku publikoi edhe një fotografi me presidentin Volodymyr Zelensky në një stacion treni, raporton agjencia “Reuters”.

“Përkrahjen financiare të BE-së për ta rindërtuar Ukrainën si demokraci moderne e të begatshme dhe si do të vazhdojmë që ta detyrojmë Rusinë të paguajë për luftën e saj të agresionit”- shtoi zonja Von der Leyen.

Në raportin e BE-së të mërkurën e ardhshme pritet të paraqiten hollësi për atë se sa larg ka arritur Ukraina në përmbushjen e kritereve të ndryshme ekonomike ligjore e të fushave të tjera për ta hapur rrugën për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në dhjetor.

Shtetet e Bashkimit Evropian pritet që gjatë një samiti në dhjetor të vendosin nëse do ta lejojnë fillimin e bisedimeve për anëtarësim me Kievin. Ky vendim kërkon miratim unanim nga të gjitha anëtaret e BE-së.

Synimi i Ukrainës mori një shtytje të enjten, kur ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, tha se kishte besim që BE-ja do ta çojë përpara aplikimin e Ukrainës muajin e ardhshëm.

Deputeti ukrainas, Yaroslav Zheleznyak, tha në rrjetin “Telegram” se Von der Leyen-i pritet që të flasë në Kuvendin e Ukrainës.

Lajme të ngjashme