Von der Leyen: Politikat e Hungarisë ndaj Rusisë e Kinës paraqesin rrezik për sigurinë
Hungaria po e vë në rrezik sigurinë evropiane, tha të mërkurën presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në një fjalim jashtëzakonisht të drejtpërdrejtë, duke i goditur marrëdhëniet e Budapestit me Rusinë dhe Kinën.
Duke folur në një debat me kryeministrin nacionalist hungarez, Viktor Orban, në Parlamentin Evropian në Strasburg, zonja Von der Leyen e kritikoi ngurrimin e Budapestit për t’iu bashkuar partnerëve nga BE-ja në ndihmën për Ukrainën kundër pushtimit rus dhe për vendimet e Hungarisë për fuqizimin e lidhjeve me Moskën dhe Pekinin, raporton agjencia “Reuters”.
“Bota ka qenë dëshmitare e mizorive të luftës së Rusisë dhe prapëseprapë, janë ende disa që fajin për këtë luftë nuk ia lënë pushtuesit, por të pushtuarit” – tha ish-ministrja e Mbrojtjes e Gjermanisë.
“Ende janë disa që fajin për këtë luftë nuk ia lënë epshit të Putinit për pushtet, por etjes së Ukrainës për liri. Prandaj, dua t’i pyes ata, a do t’i fajësonin ndonjëherë hungarezët për pushtimin sovjetik më 1956” – shtoi ajo.
Si kundërpërgjigje, Orbani tha se ishte “i befasuar” me fjalimin e Von der Leyen-it dhe refuzoi çfarëdo paraleleje mes kryengritjes së dështuar të Hungarisë më 1956 kundër shtypjes sovjetike dhe luftës së Ukrainës për ta mbrojtur territorin e saj. Ai e përsëriti thirrjen për armëpushim në Ukrainë.
Në korrik, kryeministri hungarez shkaktoi kundërthënie, kur udhëtoi në atë që Hungaria e përshkroi si “mision të paqes” në Moskë dhe Pekin gjatë presidencës hungareze të BE-së pa u koordinuar me partnerët e bllokut.
Von der Leyen-i i kritikoi një program për lehtësimin e vizave për rusët dhe bjellorusët si dhe një marrëveshje mes Budapestit e Pekinit për të lejuar policë kinezë që të patrullojnë në Hungari bashkë me kolegët e tyre hungarezë.
“Si mund të bëhet që qeveria hungareze fton shtetas rusë në unionin tonë pa kontrolle shtesë të sigurisë? Kjo e bën skemën e re hungareze të vizave rrezik për sigurinë jo vetëm për Hungarinë, por për të gjitha shtetet anëtare” – tha ajo.