Von der Leyen e propozon ekipin e saj të ri në Komisionin Evropian - NACIONALE

Von der Leyen e propozon ekipin e saj të ri në Komisionin Evropian

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, të martën e propozoi ekipin e vet, i cili do ta udhëheqë institucionin më të fuqishëm të BE-së gjatë pesë viteve të ardhshme, me fokus te sfidat e paraqitura nga ndryshimet klimatike, lufta në Ukrainë dhe ngritja e Kinës.

Andrius Kubilius nga Lituania mund të jetë komisioner i parë i mbrojtjes i Bashkimit Evropian. Ky rol i ri është caktuar për ta fuqizuar kapacitetin prodhues ushtarak të Evropës përballë agresionit rus në Ukrainë, raporton agjencia “Reuters”.

Ministrja e Energjisë dhe Mjedisit e Spanjës, Teresa Ribera, u propozua si komisionere e antitrustit, gjithashtu e angazhuar për “tranzicion të pastër, të drejtë dhe konkurrues”.

Në listën e komisionerëve të tjerë të propozuar të BE-së përfshihen ministri i Jashtëm i Francës, Stephane Sejourne, i ngarkuar për strategji industriale, dhe sllovaku Maros Sefcovic, që mund t’i mbikëqyrë politikat tregtare, e Kaja Kallas, e propozuar si shefe e politikës së jashtme.

I nominuari i Polonisë, Piotr Serafin, u propozua për pozitën e fuqishme të mbikëqyrësit të buxhetit të Bashkimit Evropian.

Të gjithë kandidatët do t’u nënshtrohen seancave me ligjvënës në Parlamentin Evropian, të cilët duhet ta nënshkruajnë emërimin e tyre.

Në ekipin e Komisionit Evropian që u paraqit nga zonja Von Der Leyen të martën ndodhen 11 gra, dukshëm më pak se baraspesha gjinore që e synonte zyrtarja e lartë. Megjithatë, ajo tha se dallimi ishte edhe më i madh para se ajo të negocionte me shtete anëtare, prandaj ato propozuan më shumë gra për këto pozita.

Lajme të ngjashme