Volkswageni do të investojë deri në pesë miliardë dollarë në rivalin e Teslas, Rivian - NACIONALE

Volkswageni do të investojë deri në pesë miliardë dollarë në rivalin e Teslas, Rivian

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Gjiganti gjerman i automjeteve, Volkswagen, ka thënë se do të investojë deri në pesë miliardë dollar në rivalin e Teslas, Rivian.

Me këtë marrëveshje formohet një sipërmarrje e përbashkët që do t’u mundësojë Volkswagenit dhe prodhuesit të veturave elektrike me bazë në ShBA që ta ndajnë teknologjinë mes vete, raporton televizioni BBC.

Vlera e aksioneve të Rivianit shënoi ngritje për gati 50 për qind pas këtij njoftimi.

Lidhja mes dy prodhuesve vjen në kohën e ashpërsimit të konkurrencës mes kompanive të automjeteve elektrike dhe kur vendet perëndimore po bëjnë lëvizje për t’u vënë taksa importeve nga Kina.

Sipas marrëveshjes, Volkswageni tha se fillimisht do të investojë një miliard dollarë në prodhimin e xhipave dhe kamionëve me rrymë, ndërsa katër miliardë dollarë të tjerë do të futen në kompaninë amerikane deri më 2026.

Volkswageni, njësoj si gjigantët e tjerë të industrisë së veturave, është vënë nën trysni nga rivalët si Tesla dhe BYD-i kinez, përderisa po mundohet që të zhvendoset nga veturat me karburante tek ato elektrike.

Bashkëpunimi do t’i japë Volkswagenit qasje të menjëhershme në softuerin e Rivianit dhe do ta lejojë që ta përdorë atë në veturat e veta.

Lajme të ngjashme