Vlera e lirës turke bie në nivel rekord negativ
Vlera e lirës turke u dobësua për 0,8 për qind të enjten, duke rënë në nivel rekord negative.
Të mërkurën, vlera e lirës ra për 7,2 për qind, duke e shënuar rënien më të madhe brenda një dite që nga dobësimi historik në fund të vitit 2021, pasi Banka Qendrore e uli shkallën e interesit përballë rritjes së inflacionit si pjesë e politikave jokonformiste ekonomike të presidentit Rexhep Erdogan, raporton agjencia "Reuters".
Ekonomistët thonë se rënia e ndjeshme e vlerës së lirës është sinjal se Ankaraja është duke u larguar nga kontrollet shtetërore e duke shkuar drejt një valute të tregtuar në mënyrë më të lirë, edhe pse ka ende shumë rregullore e masa që duhet të shfuqizohen.
Vlera e valutës po u afrohet niveleve ku nuk ka nevojë që të mbrohet përmes përdorimit të rezervave, sipas tregtarëve, të cilët shtuan se nuk presin që lira të zhvlerësohet të enjten aq shumë sa të mërkurën.
“Nuk ka ajër paniku në tregje si herëve të kaluara, kur kishte humbje të tilla të mëdha. Përkundrazi, është një perspektivë e normalizimit, që është e rëndësishme”- tha një tregtar i valutave të huaja.
Sipas programit jokonformist ekonomik të Erdoganit, autoritetet kanë vendosur ndërhyrje të drejtpërdrejta në tregjet e këmbimit të valutave të huaja, duke përdorur dhjetëra miliarda dollarë nga rezervat vetëm gjatë këtij viti për ta mbajtur të qëndrueshme vlerën e lirës.
Megjithatë, pas fitores në zgjedhje muajin e kaluar, Erdogani dha sinjal për ndryshim të politikave ekonomike, duke e emëruar në fundjavë ministër të Financave Mehmet Simsek-un, ish-zëvendëskryeministër që vlerësohet nga investitorët e jashtëm.