Vlera e lirës turke bie në nivel rekord edhe pas rritjes së shkallës së interesit - NACIONALE

Vlera e lirës turke bie në nivel rekord edhe pas rritjes së shkallës së interesit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Lira turke u zhvlerësua për 2,8 për qind, duke rënë në nivel të ri rekord të premten herët, pasi vendimi i Bankës Qendrore për rritjen e shkallës së interesit, duke e ndryshuar politikën e presidentit Erdogan, nuk i përmbushi pritjet e tregjeve.

Në pikën më të ulët, 25,59, vlera e lirës ishte për gati 27 për qind më e dobët në raport me dollarin amerikan këtë vit, raporton agjencia “Reuters”.

Banka Qendrore e Turqisë e rriti shkallën e interesit për 650 pikë bazë dhe e çoi në 15 për qind të enjten, duke thënë se kjo politikë do të shkojë më larg. Një gjë e tillë u bë e ditur në takimin e parë të këtij institucioni nën drejtimin e guvernatores së re, Hafize Gaye erkan, e cila u emërua nga Erdogani pas fitores së tij në balotazh muajin e kaluar.

Vendimi i Bankës Qendrore shënoi ndryshim të drejtimit të politikave monetare pas një periudhe të uljes së shkallës së interesit nga 19 në 8,5 për qind më 2021. Kjo politikë jokonformiste është zbatuar pavarësisht nga rritja e inflacionit.

Sipas vlerësimit mesatar në një anketë të agjencisë “Reuters”, pritej që shkalla e interesit të çohej në 21 për qind dhe analistët thanë se rritja më e vogël lë të kuptohet se guvernatorja e re mund të ketë hapësirë të kufizuar për ta luftuar inflacionin në mënyrë agresive nën mbikëqyrjen e Erdoganit.

Lajme të ngjashme