Turqia e ndryshon më në fund politikën monetare, shkalla e interesit rritet për 6,5 për qind - NACIONALE

Turqia e ndryshon më në fund politikën monetare, shkalla e interesit rritet për 6,5 për qind

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Banka Qendrore e Turqisë e ka rritur për herë të parë në dy vitet e fundit shkallën e interesit – nga 8,5 në 15 për qind – por ka shqetësim të gjerë se ky vendim është i pamjaftueshme për t’i luftuar inflacionin në rritje dhe krizën e vazhdueshme ekonomike.

Vendimi i ri shënon ndryshim të pjesshëm të politikës ekonomike jokonformiste të presidentit Rexhep Erdogan, sipas së cilës shkalla e interesit ishte e ngrirë që nga marsi i vitit 2021 pavarësisht nga zhvlerësimi i mprehtë i lirës turke, raporton gazeta “The Guardian”.

Komiteti për politika monetare i Bankës Qendrore tha se e ka rritur shkallën e interesit “për ta filluar procesin e ashpërsimit monetar me qëllim të ndërtimit të rrjedhës kundër inflacionit sa më shpejt që është e mundshme, për t’i bërë të qëndrueshme pritjet për inflacionin dhe për ta kontrolluar përkeqësimin në sjelljen e vendosjes së çmimeve”.

Inflacioni është rritur në atë shkallë që po dëshmohet si i papërballueshëm për një pjesë të madhe të popullsisë, duke shkaktuar kosto të gjerë të krizës së jetesës. Zyrtarisht, inflacioni në Turqi është 39,59 për qind, edhe pse vlerësimi jozyrtar nga Grupi i pavarur Hulumtues i Inflacionit në Turqi është se inflacioni ka shkuar në 110 për qind.

“Vendimi i sotëm është i pamjaftueshëm për ta kompensuar dobësimin e lirës dhe prandaj rreziqet në rritje në presionet e inflacionit kanë më shumë gjasa për t’u materializuar”- tha Selva Demiralp, profesoreshë e ekonomisë në Universitetin e Koçit në Stamboll. “Kjo është, sepse shkalla e politikës reale është ende negative në masë domethënëse edhe pas rritjes së sotme të shkallës”- shtoi ajo.

Ekspertët financiarë e kanë theksuar nevojën për ndryshime thelbësore të politikave, përfshirë rritjen e konsiderueshme të shkallës së interesit, me qëllim të dëshmimit të kthimit të pavarësisë së Bankës Qendrore dhe politikës më konformiste ekonomike.

Vlera e lirës ra përsëri të enjten, pas vendimit të Bankës Qendrore për rritjen e shkallës së interesit.

Presidenti Erdogan për një kohë të gjatë është ankuar kundër rritjes së shkallës së interesit, duke besuar se ajo e shkakton, e nuk e lufton inflacionin. Ai ka shkarkuar disa guvernatorë të Bankës Qendrore për shkak të mospajtimeve për politikat ekonomike.

Lajme të ngjashme