Vizatimet e të ndaluarit në Guantanamo i shpërfaqin teknikat e tmerrshme të torturës
Një i ndaluar, që është duke mbajtur në kampin famëkeq amerikan të Guantanamos për 21 vjet pa aktakuzë dhe që është përdorur si eksperiment në programin e CIA-s për torturë pas sulmeve të 11 shtatorit të vitit 2001 në ShBA, e ka paraqitur rrëfimin më gjithëpërfshirës dhe më të hollësishëm deri më tani për teknikat brutale të torturave ndaj tij.
Paralajmërim: Vizatimet e mëposhtme paraqesin skena dhune. Nuk këshillohet që të shikohen nga fëmijët dhe personat e ndjeshëm.
Abu Zubaydah ka bërë një varg prej 40 vizatimesh që e paraqesin torturën në disa hapësira të errëta të CIA-s në periudhën 2002 – 2006 në Guantanamo. Në mungesë të të dhënave të plota zyrtare për programin e torturës, për të cilin CIA dhe FBI-ja kanë punuar me vite për ta mbajtur sekret, vizatimet ofrojnë depërtim unik në atë periudhë të historisë së ShBA-së, raporton gazeta “The Guardian”.
Vizatimet, në të cilat Zubaydah-u i ka shtuar edhe përshkrimet e veta, paraqesin akte të tmerrshme dhune, poshtërimi seksual e religjioz si dhe terror të gjatë psikologjik kundër tij dhe kundër të ndaluarve të tjerë. Vizatimet janë bërë duke u bazuar në kujtesën e tij për qëndrimin në qelinë e vet në Guantanamo dhe iu dërguan njërit prej avokatëve të tij, Mark Denbeaux.
“Abu Zubaydah-u është simbol i programit të Amerikës për torturë. Ai ishte personi i parë që u torturua, me miratimin e Departamentit të Drejtësisë, duke u bazuar në fakte për të cilat CIA e dinte se ishin të rreme. Vizatimet e tij janë refuzimi përfundimtar i dështimit dhe abuzimeve të torturës”- tha avokati.
Ky i ndaluar njihet si “i burgosuri i përgjithmonshëm”, sepse as nuk është akuzuar për ndonjë krim, as nuk i është ofruar ndonjë perspektivë për lirim.
Javën e kaluar, një organ i OKB-së bëri thirrje që ky person të lirohej menjëherë, duke vlerësuar se mbajtja e tij e vazhdueshme në ndalim mund të jetë krim kundër njerëzimit.
52-vjeçari ishte kapur në Pakistan në marsin e vitit 2002 dhe ishte dërguar në disa qendra të errëta të CIA-s në Poloni, Lituani e në vende të tjera. Ai ishte viktima e parë e atij që do të bëhej përdorim i gjerë i torturës nga ShBA-ja kundër të dyshuarve për terrorizëm.
Ai ishte dërguar në Guantanamo më 2006, ku është duke u mbajtur që nga ai vit. ShBA-ja fillimisht kishte pretenduar se Zubaydah-u ishte operativ i lartë i grupit Al-Qaeda, por më vonë ishte detyruar të pranonte se ky person nuk ishte as anëtar i grupit.
Në njërin prej vizatimeve që gazeta “The Guardian” i ka publikuar për herë të parë, është një vizatim ku agjentët e maskuar e kërcënojnë fizikisht të ndaluarin me dhunim anal.
Në një vizatim tjetër, ai shihet i lidhur me zinxhir, i zhveshur, përballë një gruaje që po e merrte në pyetje.
Në një vizatim tjetër, rojat shihen duke e kërcënuar të ndaluarin se do ta përdhosin Kuranin – teknikë që nuk është miratuar kurrë zyrtarisht nga Departamenti i Drejtësisë.
Sipas vizatimeve, kishte edhe forma të tjera të torturës, përfshirë kërcënimin për shpimin e trupit me shpuese elektrike të ndërtimtarisë si dhe vendosjen në një arkivol e qëndrimin për disa ditë i zhytur në urinën e jashtëqitjen e të ndaluarit.