Vihet në ndjekje ndërkombëtare burri që i hodhi kafe të nxehtë një foshnjëje në Australi - NACIONALE

Vihet në ndjekje ndërkombëtare burri që i hodhi kafe të nxehtë një foshnjëje në Australi

1 vit më parë

nga NACIONALE

Policia australiane është duke punuar me kolegët ndërkombëtarë për të lokalizuar një burrë për të cilin beson se është larguar nga vendi, pasi i kishte hedhur kafe të nxehtë një foshnjëje në Brisbane.

Sulmi ndaj foshnjës ndodhi muajin e kaluar dhe e ka tmerruar Australinë. Foshnja 9-muajshe e gjinisë mashkullore pësoi “djegie serioze” në fytyrë dhe gjymtyrë, raporton televizioni BBC.

Policia në Queensland ka lëshuar një urdhërarrest për 33-vjeçarn e kërkuar për akte që e kanë për qëllim shkaktimin e lëndimit të rëndë trupor, akuzë që e bart dënimin maksimal me burgim të përjetshëm.

Megjithatë, policia tha të hënën se i dyshuari kryesor kishte fluturuar me një aeroplan nga aeroporti i Sydney-t gjashtë ditë pas incidentit dhe vetëm 12 orë para se autoritetet të ishin në gjendje që t’ia vërtetonin identitetin.

Foshnja ndodhej në një piknik me familjen në një park më 31 gusht, kur dëshmitarët thonë se një “burrë i çuditshëm” u afrua dhe zbrazi një termus mbi fëmijën para se të ikte në këmbë.

Foshnjës i ishte dhënë menjëherë ndihma e parë, para se një infermiere që ishte jashtë detyrës e dërgoi djalin e vogël në një banesë për t’ia lagur plagët me ujë të ftohtë.

Sidoqoftë, foshnja pësoi lëndime dramatike për të cilat tashmë janë nevojitur disa operacione, ndërsa prindërit thonë se biri i tyre ballafaqohet me 9 vjet rrugë drejt shërimit.

Motivi i këtij incidenti është ende i panjohur, tha zyrtari policor, Paul Dalton, duke e përshkruar rastin si “njëri nga më të ndërlikuarit dhe më frustruesit” që ai ka udhëhequr ndonjëherë.

Ai konfirmoi se policia e di shtetin ku ka shkuar i dyshuari si dhe emrin e tij, por shtoi se zbulimi i të dhënave në këtë kohë do të mund ta dëmtonte hetimin./Nacionale

Lajme të ngjashme