Vëzhguesi global i ushqimit shpall për herë të parë krizë urie në Gaza - NACIONALE

Vëzhguesi global i ushqimit shpall për herë të parë krizë urie në Gaza

11 muaj më parë

nga NACIONALE

Një organizatë vëzhguese globale për urinë ka deklaruar për herë të parë se uria e ka kapluar pjesën veriore të Rripit të Gazës, rreth 22 muaj pas shpërthimit të luftës në enklavë.

Ky vlerësim u kundërshtua shpejt nga Izraeli. Agjencia COGAT e akuzoi sistemin IPC se e ka mbështetur raportin e vet në “burime të anshme e egoiste që e kanë prejardhjen nga Hamasi”, shkruan gazeta “The Times of Israel”.

Sipas raportit të IPC-së, 514 mijë njerëz ose gati çereku i popullsisë së enklavës janë duke u ballafaquar me uri dhe ky numër pritet të shkojë në 641 mijë në fund të shtatorit.

Rreth 280 mijë prej këtyre njerëzve ndodhen në rajonin verior që e mbulon Qytetin Gaza, për të cilin IPC-ja thotë se është në uri – vlerësimi i parë i tillë në enklavë. Pjesa tjetër e popullsisë është në Deir al-Balah dhe Khan Younis, zona qendrore e jugore për të cilat IPC-ja parashikon se do të kaplohen nga uria në fund të muajit të ardhshëm.

Sipas IPC-së, uria është nxitur nga luftimet dhe bllokimi i ndihmave, ndërsa është përkeqësuar nga zhvendosja e gjerë e popullsisë dhe kolapsimi i prodhimit të ushqimit në Gaza, duke e çuar urinë në nivele që e rrezikojnë jetën në mbarë enklavën pas 22 muajve luftë.

Më shumë se gjysmë milioni njerëz në Gaza, ose rreth çereku i popullsisë, ballafaqohen me nivele katastrofike të urisë, ndërsa shumë njerëz janë në rrezik nga vdekja prej shkaqeve të lidhura me kequshqyerjen, thuhet më tej në raportin e IPC-së.

Muajin e kaluar, ky vëzhgues tha se “skenari i rastit më të keq i urisë” ishte duke u shpalosur në Gaza, por nuk e kishte shpallur përcaktimin zyrtar të urisë.

Që një rajon të klasifikohet si zonë në uri, të paktën 20 për qind e popullsisë duhet të jetë duke vuajtur nga mungesa ekstreme e ushqimit, ndërsa një e treta e fëmijëve duhet të jenë të kequshqyer në mënyrë akute dhe 2 në çdo 100 mijë njerëz të vdesin në ditë nga uria ose kequshqyerja dhe sëmundjet./Nacionale

Lajme të ngjashme