Vërshime pas shiut të dendur, së paku 49 të vdekur në Pakistan - NACIONALE

Vërshime pas shiut të dendur, së paku 49 të vdekur në Pakistan

1 vit më parë

nga NACIONALE

Vërshimet e shkaktuara nga reshjet e dendura të shiut lanë të vdekur të paktën 49 njerëz në pjesën veriperëndimore të Pakistanit dhe në zona të tjera të vendit gjatë 24 orëve të fundit, thanë të premten zyrtarët, përderisa ekipet e shpëtimit evakuuan 1.300 turistë që kishin mbetur të ngujuar në një distrikt malor të goditur nga rrëshqitja e dheut.

Më shumë se 360 njerëz, shumica gra e fëmijë, kanë vdekur në incidente të lidhura me reshjet në mbarë Pakistanin nga 26 qershori. Shumica e rasteve të fundit u raportuan në pjesët veriore dhe veriperëndimore të Pakistanit, sipas zyrtarëve lokalë, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.

Së paku 10 njerëz e humbën jetën të enjten, pasi u morën me vete nga uji i vërshimeve në distriktin Ghazar të rajonit Gilgit-Balistan, tha zëdhënësi qeveritar rajonal, Faizullah Faraq.

16 njerëz të tjerë, përfshirë gra e fëmijë, vdiqën gjithashtu të enjten në distriktin Bajaur të provincës veriperëndimor Khyber Pakhtunkhwa, kur një rrebesh masiv shkaktoi vërshime të shpejta, tha zyrtari për shpëtim, Amjad Khan. Ai tha se 17 të tjerë u morën me vete nga uji dhe mbeten të zhdukur.

Vërshimet e shpejta e goditën edhe distriktin Battagram në veriperëndim, duke lënë të vdekur dhjetë njerëz, tha administratori qeveritar, Saleem Khan. Ai tha se 18 njerëz të tjerë ishin ende të zhdukur.

Shtatë njerëz të tjerë vdiqën të enjten në incidente të ndryshme të lidhura me shiun në Kashmirin e administruar nga Pakistani, sipas autoritetit shtetëror për menaxhimin e fatkeqësive./Nacionale

Lajme të ngjashme