Vërshime në Kore të Veriut, Kimi i qorton zyrtarët për mungesë përgatitjesh
Koreja Veriore ka thënë se ka përdorur helikopterë ushtarakë për të evakuuar më shumë se pesë mijë njerëz nga vërshimet e rënda në veriperëndim të vendit, afër kufirit me Kinën.
Agjencia zyrtare e lajmeve në Kore të Veriut, KCNA, tha se udhëheqësi Kim Jong Un i mbikëqyri operacionet ushtarake të shpëtimit të dielën, ndërsa banorët u nxorën nga qyteti Sinuiju dhe qyteza Uiju, raporton televizioni “Al Jazeera”.
Agjencia KCNA publikoi fotografi të Kimit në një fushë ajrore me erë të fortë, bashkë me zyrtarë të tjerë, ndërsa në një fotografi tjetër, politikani shihej duke e shikuar nivelin e vërshimeve nga dritarja e një veture të zezë.
Dhjetë helikopterë si dhe barka të forcave detare u përdorën në përpjekjet për shpëtim. Reshjet e dendura të shiut të shtunën e kishin shkaktuar ngritjen e nivelit të ujit në një lumë në kufirin mes Koresë së Veriut e Kinës dhe krijuan “krizë të rëndë”, raportoi agjencia KCNA.
Kimi i qortoi zyrtarët për dështimin e tyre për t’u përgatitur dhe për të reaguar ndaj reshjeve të fundit, pavarësisht nga dhënia e urdhrave të mëparshëm për t’i forcuar masat kundër fatkeqësive natyrore, thuhet më tej në raportim.
“Ata, të përfshirë nga mposhtja në luftë me natyrën, nuk shfaqen me vetëbesim në punën parandaluara ndaj fatkeqësive, duke pritur vetëm gjasa nga qielli” – tha Kimi, sipas KCNA-së.
KCNA-ja nuk përmendi ndonjë të vdekur e as nuk tregoi për atë se sa dëm kanë shkaktuar vërshimet. Koreja Veriore është ballafaquar me reshje rekorde. Më herët këtë muaj, në qytetin Kaesong ranë 463 milimetra shi për një ditë të vetme.
Administrata meteorologjike e Koresë së Jugut tha se këto ishin reshjet më të dendura të shiut që janë regjistruar në Kore të Veriut në 29 vitet e fundit.