Venezuela lëshon urdhërarrest për udhëheqësin e opozitës, Edmundo Gonzalez - NACIONALE

Venezuela lëshon urdhërarrest për udhëheqësin e opozitës, Edmundo Gonzalez

1 vit më parë

nga NACIONALE

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Venezuelës tha të hënën se një gjykatë ka lëshuar urdhërarrest për udhëheqësin e opozitës, Edmundo Gonzalez, nën akuzën për konspiracion dhe krime të tjera në kohën e mosmarrëveshjes nëse ai apo presidenti Nicolas Maduro i ka fituar zgjedhjet e korrikut.

Prokurori i Përgjithshëm, Tarek Saab, ia tregoi agjencisë “Reuters” një fotografi të urdhërarrestit përmes aplikacionit “Telegram”, raportoi kjo agjenci.

Lëshimi i udhërarrestit kundër Gonzalezit do të përbënte eskalim domethënës në shtypjen e pushtetit të Maduros kundër opozitës pas zgjedhjeve të kontestuara.

Autoriteti kombëtar zgjedhor i Venezuelës dhe gjykata më e lartë e vendit kanë thënë se Maduroja është fitues i zgjedhjeve të 28 korrikut me pak më shumë se gjysmën e votave, por shifrat e paraqitura nga opozita tregojnë për fitore kumbuese të Gonzalezit.

Urdhërarresti erdhi pas disa javëve me komente nga zyrtarë të lartë qeveritarë, të cilat kishin thënë se Gonzalezi dhe anëtarë të tjerë të opozitës duhej të dërgoheshin në burg.

“Ky njeri i ka nervat që të thotë se nuk i njeh ligjet, ai nuk njeh asgjë. Çfarë është me këtë? Kjo është e papranueshme” – tha Maduroja në televizionin shtetëror. “Qytetarët pajtohen që ligjet duhet të funksionojnë dhe se zyrtarët duhet ta bëjnë punën e tyre” – shtoi ai.

Opozita, disa shtete perëndimore dhe organizata ndërkombëtare, si një panel i ekspertëve i Kombeve të Bashkuara, kanë thënë se zgjedhjet nuk kanë qenë transparente dhe kanë kërkuar që të publikohen të dhënat e plota.

Një zëdhënës i Gonzalezit tha se opozita ishte duke pritur ndonjë njoftim për lëshimin e urdhërarrestit, por nuk bëri komente të mëtejme. Opozita gjithmonë ka mohuar se ka bërë ndonjë shkelje.

Pas zgjedhjeve të korrikut, Shtetet e Bashkuara e kishin njohur Gonzalezin si fitues të zgjedhjeve./Nacionale

Lajme të ngjashme