Venezuela kërkon nga Këshilli i Sigurimit që të thotë se sulmet e ShBA-së janë ilegale - NACIONALE

Venezuela kërkon nga Këshilli i Sigurimit që të thotë se sulmet e ShBA-së janë ilegale

4 javë më parë

nga NACIONALE

Venezuela ka kërkuar nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara që të përcaktojë se sulmet vdekjeprurëse nga Shtetet e Bashkuara ndaj barkave afër bregdetit venezuelas janë ilegale dhe të lëshojë një deklaratë në mbështetje të sovranitetit të Venezuelës, sipas një letre që e pa agjencia “Reuters” të enjten.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka urdhëruar një grumbullim të madh ushtarak në jug të Karaibeve dhe trupat e vendit të tij kanë kryer të paktën pesë sulme ndaj barkave të cilat administrata e Trumpit i ka përshkruar si të përfshira në trafikim të drogës, pa paraqitur dëshmi, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Në një letër dërguar Këshillit të Sigurimit me 15 vende anëtare, e cila e mbante datën 15 tetor, ambasadori i Venezuelës në OKB, Samuel Moncada, e akuzoi Uashingtonin për vrasjen e të paktën 27 njerëzve në sulmet ndaj “barkave civile që po kalonin transit në ujëra ndërkombëtare”.

Ai kërkoi nga Këshilli i Sigurimit që t’i “hetojë” këto sulme për ta “përcaktuar natyrën e tyre ilegale” dhe të lëshojë një deklaratë “që e riafirmon parimin e respektimit të pakufizuar të sovranitetit, pavarësisë politike dhe integritetit të shteteve”, përfshirë Venezuelën.

Në Karakas, presidenti venezuelas, Nicolas Maduro, tha se përderisa CIA për një kohë të gjatë ka qenë e lidhur me puçe në pjesë të ndryshme të botës, asnjë qeveri e mëparshme nuk kishte deklaruar publikisht se e ka urdhëruar këtë agjenci që “të vrasë, të përmbysë dhe të shkatërrojë shtete”.

Maduro e akuzoi CIA-na (Agjencia Qendrore e Inteligjencës e ShBA-së) se është autorizuar që të kryejë operacione që janë kundër paqes së Venezuelës.

“Por populli ynë është i qartë, i bashkuar dhe i vetëdijshëm. Ai i ka mjetet që edhe një herë ta mposhtë këtë konspiracion të hapur kundër paqes dhe stabilitetit të Venezuelës” – tha Maduroja gjatë një ngjarjeje të transmetuar në televizionin shtetëror.

Megjithatë, Këshilli i Sigurimit nuk do të jetë në gjendje që të ndërmarrë ndonjë veprim përtej mbajtjes së takimeve për situatën, sepse Shtetet e Bashkuara e kanë fuqinë e vetos. Këshilli i Sigurimit për këto tensione për herë të parë u mblodh javën e kaluar, me kërkesë të Venezuelës, Rusisë dhe Kinës.

Në atë takim, Shtetet e Bashkuara i justifikuan veprimet e veta duke thënë se ato janë në pajtim me Nenin 51 të Kartës së OKB-së, e cila kërkon që Këshilli i Sigurimit të jetë menjëherë i njoftuar për çfarëdo veprimi që shtetet e ndërmarrin në vetëmbrojtje kundër sulmeve të armatosura./Nacionale

Lajme të ngjashme