Vendime jetike për NATO-n priten këtë javë në Finlandë dhe Suedi - NACIONALE

Vendime jetike për NATO-n priten këtë javë në Finlandë dhe Suedi

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Të anëtarësohen apo jo? Pyetja për NATO-n vjen këtë javë në një fazë të rëndësishme në Finlandë dhe Suedi, ku pushtimi rus i Ukrainës e ka thyer besimin e vjetër se mbetja jashtë aleancës është mënyra më e mirë për t’i shmangur telashet me fqinjin e tyre gjigant.

Associated Press

Nëse presidenti i Finlandës dhe socialdemokratët në pushtet në të dyja vendet dalin në favor të anëtarësimit në NATO në ditët e ardhshme, aleanca mund të pranojë së shpejti dy anëtare që janë mu në pragun e Rusisë.

Ky do të ishte zhvillim historik për dy shtetet skandinave. Suedia i ka shmangur aleancat ushtarake për më shumë se 200 vite, ndërsa Finlanda e ka zbatuar neutralitetin pas mposhtjes nga Bashkimi Sovjetik në Luftën e Dytë Botërore, raporton agjencia “Associated Press”.

Anëtarësimi në NATO kurrë nuk është shqyrtuar seriozisht në Stokholm dhe Helsinki deri para fillimit të sulmit të forcave ruse në Ukrainë më 24 shkurt. Pothuajse brenda natës, pyetja në të dyja kryeqytetet u shndërrua nga “pse duhet të anëtarësohemi” në “sa kohë merr procesi”.

Bashkë me rezistencën e vendosur ukrainase dhe sanksionet e gjera perëndimore, ndryshimi i qasjes së Suedisë dhe Finlandës për anëtarësimin në NATO është njëra nga çështjet që duket se kanë ndikuar që pushtimi t’i kthehet si bumerang presidentit rus, Vladimir Putin.

Nëse Finlanda dhe Suedia i bashkohen aleancës, Rusia do ta gjente veten të rrethuar plotësisht nga vendet e NATO-s në Detin Baltik dhe në Arktik.

“Nuk ka kthim në status quo-në para pushtimit”, tha Heli Hautala, diplomate finlandeze, që më parë ka qenë e vendosur në Moskë dhe hulumtuese në Qendrën për Sigurinë e Re Amerikane në Uashington.

Presidenti finlandez, Sauli Niinisto, udhëheqësi perëndimor që dukej se e kishte raportin më të mirë me Putinin para luftës në Ukrainë, pritet që të enjten ta njoftojë qëndrimin e tij për anëtarësimin në NATO. Partitë socialdemokrate në pushtet në të dyja vendet pritet që t’i paraqesin pozicionet e tyre këtë fundjavë.

Nëse përgjigjja e tyre është “po”, në kuvendet e të dyja vendeve do të kishte shumicë të fuqishme për anëtarësim në NATO, duke e shtruar rrugën që procedurat e aplikimit të fillojnë menjëherë.

Socialdemokratët e udhëhequr nga kryeministrja Sanna Marin, me gjasë, do t’u bashkohen partive të tjera në Finlandë në përkrahje të aplikimit për anëtarësimin në NATO. Situata në Suedi nuk është kaq e qartë sa në vendin fqinj.

Socialdemokratët e Suedisë gjithmonë kanë qenë me vendosmëri kundër rreshtimit me ndonjë aleancë, por kryetarja e partisë dhe kryeministrja, Magdalena Andersson, ka thënë se ekziston një ndarje e qartë “para dhe pas 24 shkurtit”.

Grupi i grave i partisë në pushtet, i udhëhequr nga ministrja për Klimën dhe Mjedisin, Annika Strandhall, ka dalë kundër anëtarësimit në NATO.

As Finlanda, As Suedia nuk janë duke planifikuar referendum për këtë çështje, duke u frikësuar se ky proces do të ishte në shënjestër të ndërhyrjes ruse.

Të dyja vendet kanë kërkuar dhe kanë pranuar garanci për përkrahje nga Shtetet e Bashkuara dhe anëtaret e tjera të NATO-s gjatë periudhës së aplikimit, nëse vendosin që ta kërkojnë anëtarësimin në aleancë.

Rusia ka paralajmëruar për pasoja politike dhe ushtarake, nëse Finlanda dhe Suedia vendosin që të anëtarësohen në NATO. Ish-presidenti rus, Dmitry Medvedev, tha muajin e kaluar se ky veprim do ta detyronte Moskën që ta përforcojë praninë ushtarake në rajonin e Baltikut.

Megjithatë, analistët thonë se masat ushtarake kundër vendeve skandinave duken me pak gjasa, duke para se sa të dëmtuara janë forcat ruse në Ukrainë.

Shumë nga ushtarët rusë, të vendosur afër kufirit 1300-kilometërsh me Finlandën, janë dërguar në Ukrainë dhe kanë pësuar humbje të konsiderueshme atje, tha Hautala.

Analistët e mbrojtjes thonë se Finlanda dhe Suedia kanë forca moderne dhe kompetente, të cilat do t’i fuqizonin në masë të konsiderueshme aftësitë e NATO-s në Evropën Veriore. Forcat finlandeze e suedeze ushtrojnë aq shpesh me NATO-n, saqë ato janë, në thelb, të ndërveprueshme.

Shtimi i anëtarëve të rinj në NATO zakonisht zgjat me muaj, sepse këto vendime duhet të ratifikohen nga të gjitha shtetet e aleancës, që janë 30. Por, në rastin e Finlandës dhe Suedisë, procesi i pranimit do të mund të bëhej brenda disa javësh, sipas një zyrtari të NATO-s, i cili ka folur në kushte anonimiteti. “Këto nuk janë kohë normale”, tha ai.

Përktheu: Gazeta Nacionale

Lajme të ngjashme