Vendet e G7-ës, të gatshme për “masat e nevojshme” që të mbështetet furnizimi me energji - NACIONALE

Vendet e G7-ës, të gatshme për “masat e nevojshme” që të mbështetet furnizimi me energji

4 muaj më parë

nga NACIONALE

Shtetet e grupit G7 kanë thënë se janë të gatshme që t’i ndërmarrin masat e nevojshme për ta mbështetur furnizimin global me energji, pasi lufta amerikano-izraelite kundër Iranit shkaktoi rritje të konsiderueshme të çmimit të karburanteve.

Megjithatë, një takim mes ministrave të Financave të shteteve të G7-ës dhe Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA) përfundoi pa ndonjë marrëveshje për zhbllokimin e rezervave strategjike të naftës së papërpunuar, raporton televizioni BBC.

Çmimi i naftës shkoi në gati 120 dollarë për fuçi të hënën për shkak të frikës për pengesa të zgjatura ndaj dërgesave, duke ndikuar në rënie në tregjet globale të aksioneve.

Në takimin e zhvilluar në mënyrë virtuale, opsioni i zhbllokimit të naftës nga rezervat ishte njëri prej disa mundësive që u diskutuan. Drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, Fatih Birol, tha se tregjet e naftës “janë përkeqësuar ditëve të fundit”.

“Përpos sfidave për transitin nëpër Ngushticën e Hormuzit, një sasi substanciale e prodhimit të naftës është pakësuar. Kjo po krijon rreziqe domethënëse dhe në rritje për tregun” – shtoi ai.

“Shtetet anëtare të IEA-së tani për tani mbajnë më shumë se 1,2 miliard fuçi në rezervat urgjente të naftës, ndërsa 600 milionë fuçi të tjera të rezervave të industrisë mbahen nën detyrime qeveritare” – tha më tej Biroli.

Pas takimit, ministri i Financave i Francës, Roland Lescure, tha “nuk jemi ende atje”, kur u pyet nëse do të lirohen rezervat urgjente.

Nëse merret një hap i tillë, do të ishte hera e parë që nga viti 2022, pas fillimit të luftës së Rusisë kundër Ukrainës, që do të liroheshin rezervat urgjente.

Në një deklaratë të lëshuar pas takimit, G7-a tha: “Ne qëndrojmë të gatshëm për të ndërmarrë masa të nevojshme, përfshirë ato për mbështetjen e furnizimit global me energji si lirimi i rezervave.”/Nacionale

Lajme të ngjashme