Vëllai i Bidenit intervistohet sot nga republikanët si pjesë e hetimit ndaj presidentit
Republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së po hyjnë në një fazë kritike të hetimit të tyre kundër presidentit Joe Biden, përderisa po përgatiten për intervistat e rëndësishme me djalin e tij, Hunter, dhe vëllanë e Bidenit, James, gjatë dy javëve të ardhshme që mund ta përcaktojnë fatin e hetimit të opozitarëve.
Intervista prapa dyerve të mbyllura me vëllanë e presidentit amerikan të mërkurën vjen kur republikanët javëve të fundit janë tërhequr në një varg të bashkëpunëtorëve të biznesit familjar të familjes Biden, të cilët kanë dëshmuar, duke u mbështetur në përvojë të dorës së parë, se Joe Biden nuk ka qenë i përfshirë në marrëveshjet e jashtme biznesore të familjes, duke e minuar akuzën në zemër të tërë hetimit të tyre. Hunter Biden pritet të paraqitet për intervistën e tij prapa dyerve të mbyllura javën e ardhshme, raporton televizioni CNN.
Tërë kjo përbën moment “bëje ose vdis” për republikanët që po e udhëheqin hetimin, përderisa ballafaqohen me dyshime serioze brenda Partisë Republikane nëse ata do të mund ta bindin shumicën e ngushtë për ta përkrahur përpjekjen politikisht të rrezikshme për hetim në një vit kur ka zgjedhje presidenciale.
Burimet i kanë thënë televizionit CNN se zyrtarë të lartë republikanë pritet që të marrin një vendim zyrtar nëse do të ndiqen artikujt e hetimit pas intervistave me James dhe Hunter Biden. Megjithatë, drita e gjelbër përfundimtare mund të ketë nevojë që të vijë nga kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, i cili është ballafaquar me vështirësi për të bërë thirrje rreth çështjeve kyçe që janë përçarëse në partinë e tij.
Nga dhjetori, republikanët kanë intervistuar tetë persona që kanë punuar ngushtë me James dhe Hunter Biden dhe në asnjërën prej qindra faqeve të dëshmive të dëshmitarëve nuk ofrohen dëshmi që presidenti ka qenë i përfshirë ose që ka përfituar nga projektet e biznesit të familjes së tij. Bashkëpunëtorët në biznes të familjes Biden kanë thënë se ata kurrë nuk kanë parë që presidenti të ketë bërë ndonjë gjë të gabuar.
Javën e kaluar, hetuesi i posaçëm, David Weiss, ngarkoi një ish-informator të FBI-së me akuzën se kishte gënjyer për përfshirjen e presidentit dhe të birit të tij në marrëveshje biznesi me kompaninë ukrainase të energjisë, “Burisma Holdings”, duke dëmtuar një aspekt të rëndësishëm të hetimit të republikanëve.
Në një goditje tjetër ndaj përpjekjes së republikanëve për hetim, ish-informatori Alexander Smirnov u ka thënë hetuesve pas arrestimit të tij se zyrtarë të inteligjencës ruse ishin të përfshirë në kalimin e të dhënave tek ai për Bidenin e ri, thanë prokurorët të martën në një dokument gjykate, duke theksuar se informata ishte e rreme.