Vdiq nga lëndimet e vetëshkaktuara i dyshuari për vrasjen e 12 personave në Cetinje - NACIONALE

Vdiq nga lëndimet e vetëshkaktuara i dyshuari për vrasjen e 12 personave në Cetinje

1 vit më parë

nga NACIONALE

Një burrë i armatosur, i cili kishte vrarë të paktën dymbëdhjetë njerëz në Cetinje të Malit të Zi, vdiq të enjten nga plagët e vetëshkaktuara, pasi kishte bërë përpjekje për vetëvrasje, tha ministri i Brendshëm i shtetit fqinj, Danilo Saranoviq.

Sulmuesi i dyshuar, i identifikuar nga policia si Aleksandar Martinoviq, 45 vjeç, bëri vetëvrasje në tentativë afër shtëpisë së tij në Cetinje, pasi ishte rrethuar nga policia, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Kur pa se ndodhej në një situatë të pashpresë, ai bëri tentim për vetëvrasje. Nuk iu dorëzua plagëve në vendin e ngjarjes, por gjatë transportimit për në spital” – i tha ministri Saranoviq televizionit shtetëror RTCG.

Ai nuk dha hollësi rreth përpjekjes së të dyshuarit për vetëvrasje.

Martinoviqi ishte në arrati, pasi kishte hapur zjarr të mërkurën pasdite në një restorant në Cetinje, qytezë e vogël rreth 38 kilometra në perëndim të kryeqytetit Podgoricë, ku vrau katër njerëz.

Sulmuesi pastaj shkoi në tri lokacione të tjera, duke vrarë të paktën edhe gjashtë të tjerë, përfshirë dy fëmijë, tha policia. Katër persona të tjerë pësuan lëndime jashtë rrezikut për jetën.

Policia tha se Martinoviqi kishte histori të posedimit ilegal të armëve.

Të mërkurën vonë, drejtori i policisë, Lazar Shqepanoviq, tha se i dyshuari mendohej se ishte dehur rëndë para të shtënave. Kryeministri Milojko Spajiq tha se në vendin e ngjarjes kishte ndodhur një përleshje para të shtënave.

Policia tha se të shtënat nuk mendohet se ishin të lidhura me krimin e organizuar.

Incidenti i së mërkurës e shohoi shtetin me 605 mijë banorë. Spajiqi e cilësoi rastin “tragjedi e tmerrshme” dhe shpalli tri ditë zie kombëtare. Presidenti Jakov Milatoviq tha se është “i tmerruar” nga sulmi.

Pavarësisht nga ligjet e ashpra për armë, Ballkani Perëndimor, i përbërë nga Shqipëria, Kosova, Bosnja, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia, mbetet i mbushur me armë në duart e qytetarëve. Shumica janë nga luftërat e përgjakshme të viteve të nëntëdhjeta, por disa datojnë që nga Lufta e Parë Botërore./Nacionale

Lajme të ngjashme