Vdiq gruaja e dytë nga vërshimet në Australi - NACIONALE

Vdiq gruaja e dytë nga vërshimet në Australi

4 ditë më parë

nga NACIONALE

Një grua e dytë është konfirmuar e vdekur në vërshimet që kanë shkaktuar shkatërrim “të pabesueshëm” ndaj komuniteteve në pjesën veriore të Australisë.

Policia tha se trupi i gruas 82-vjeçare u gjet në një fushë kallami në Queensland të martën, dy ditë pasi një grua 63-vjeçare vdiq, kur një gomone në të cilën ndodhej u rrokullis gjatë përpjekjes për shpëtim, raporton televizioni BBC.

Rajoni është përmbytur nga e shtuna. Në disa pjesë në veri të Queensland-it pati reshje shiu deri në 200 centimetra.

Të martën, kushtet e motit filluan të lehtësoheshin, edhe pse kryeministri rajonal, David Crisafulli, paralajmëroi se ende ishte “një fatkeqësi që do ta testojë vendosmërinë e njerëzve”.

Ai e përshkroi si “të pabesueshëm” shkatërrimin e shkaktuar nga vërshimet, por theksoi se kushtet e motit kishin qenë “vërtet të mira” orëve të fundit. Mijëra njerëz kanë filluar që të kthehen në shtëpitë e tyre.

Të hënën, disa banorë lokalë i thanë televizionit BBC se ata ishin “në tehun e thikës”, përderisa prisnin që të shihnin nëse shtëpitë e tyre do të shpëtonin.

Megjithatë, më në veri, ndërprerja e rrymës dhe rrugët e dëmtuara e kanë bërë të vështirë vlerësimin e plotë të shkatërrimit në qytezat si Ingham dhe Cardwell./Nacionale

Lajme të ngjashme