Vdes presidenti i Emirateve të Bashkuara, shpallen 40 ditë zie - NACIONALE

Vdes presidenti i Emirateve të Bashkuara, shpallen 40 ditë zie

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Ministria e Çështjeve Presidenciale e Emirateve të Bashkuara Arabe ka njoftuar se një periudhë zie prej 40 ditësh do të shpallet menjëherë, me rastin e vdekjes së presidentit 73-vjeçar të këtij shteti, Khalifa bin Zayed Al Nahyan.

Gjatë ditëve të zisë, flamujt do të ulen në gjysmështizë, ndërsa puna në institucionet shtetërore në nivel qendror dhe lokal do të pezullohet për tri ditë.

Khalifa bin Zayed ishte biri i madh i Zayed bin Sultan Mahyan, themelues i Emirateve të Bashkuara. Si emir i 16-të i Abu Dabit dhe president i Emirateve të Bashkuara, Al Nahyan e ka udhëhequr vendin që nga viti 2004, kur ishte zgjedhur presidenti i dytë në historinë e shtetit.

Gjatë pushtetit të tij, presidenti Al Nahyan ka ndihmuar që Emiratet e Bashkuara të shndërrohen në fuqi rajonale dhe qendër të rëndësishme të biznesit dhe teknologjisë.

Sipas ligjeve të Emirateve të Bashkuara, në pozitën e presidentit do të jetë përkohësisht Sheikh Mohammed bin Rashid Al Maktoum, emir i Dubait dhe nënpresident i Emirateve të Bashkuara.

Brenda 30 ditëve, Këshilli Federal, që përbëhet nga udhëheqësit e shtatë emirateve, do të mblidhet për ta zgjedhur presidentin e ri.

Lajme të ngjashme