Vdes në rrethana të dyshimta në Moskë Radomir Kurtić, përfaqësues i prodhuesit serb të armëve, “Jugoimport”
Mediat serbe raportuan të martën se Radomir Kurtic, përfaqësues i prodhuesit serb të armëve, “Jugoimport SDPR”, ka vdekur në Moskë në rrethana të dyshimta.
Mediumi “Blic” raporton se shërbimet ushtarake të sigurisë dhe BIA i kanë dorëzuar një raport presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, rreth vdekjes së dyshimtë të Kurticit. Sipas “Blic”-it, vdekja ndodhi më 17 nëntor të këtij viti, në një rrugë në Moskë.
Më tej, në raport thuhet se autoritetet serbe ishin në pritje të raporteve të forenzikës nga autoritetet ruse, që ende nuk i kishin pranuar.
Kurtici ishte në Moskë për mandatin e tij të dytë si përfaqësues i prodhuesit serb të armëve.
Një komision i “Jugoimportit” i vizitoi zyrat në Moskë dhe mori vesh se një numër i madh dokumentesh dhe pajisjesh kompjuterike po mungonin, thuhet në raport.
Më tej, aty thuhet se organet e hetuesisë në Rusi nuk i kanë ofruar Ambasadës së Serbisë dhe zyrës së përfaqësisë së “Jugoimportit” në Moskë ndonjë informacion zyrtar për këtë ngjarje. Të dhëna nuk u janë ofruar as shërbimeve të sigurisë në Serbi.
Llogaria “Visegrad24” në rrjetin X spekuloi se Kurtici “duket se është vrarë”.
