Vdes në moshën 94-vjeçare shkrimtari çek me famë botërore, Milan Kundera
Ka vdekur në moshën 94-vjeçare shkrimtari i njohur çek, Milan Kundera. Lajmin për vdekjen e tij e publikoi të mërkurën televizioni publik çek.
Në kryeveprën e tij, “Lehtësia e Padurueshme e Qenies”, Kundera rrëfen një trekëndësh dashurie në kohën e Pranverës së Pragës. Kjo vepër e bëri Kunderën yll të letërsisë ndërkombëtare, kur ajo u publiku më 1984, raporton “Deutsche Welle”.
Shkrimtari disident ishte duke jetuar në ekzil në Paris për gati një dekadë. Librat e tij ishin ndaluar në ish-Çekosllovaki, ndërsa pas heqjes së shtetësisë nga qeveria e mbështetur nga ish-Bashkimi Sovjetik më 1978, ai mbeti shkrimtari më i famshëm në ekzil i vendit të vet.
As pas rënies së Perdes së Hekurt dhe themelimit të Republikës Çeke, shkrimtari kurrë nuk u kthye për të jetuar në atdhe. “Nuk ekziston ëndrra e kthimit”- kishte thënë ai një intervistë për të përjavshmen gjermane, “Die Zeit”. “E kam marrë Pragën time me vete; aromën, shijen, gjuhën, peizazhin kulturën”- kishte shtuar shkrimtari i famshëm.
Romanet e Kunderës kishin filluar që të publikoheshin në gjuhën çeke nga vitet e nëntëdhjeta, por vepra “Lehtësia e Padurueshme e Qenies” nuk u publikua në këtë gjuhë deri në vitin 2006.