Vdes në moshën 86-vjeçare emiri i Kuvajtit, Sheikh Nawaf al-Ahmed
Udhëheqësi i shtetit të Kuvajtit, Sheikh Emir Nawaf al-Ahmad al-Jaber al-Sabah, ka vdekur në moshën 86-vjeçare, njoftoi televizioni shtetëror.
Emiri e kishte udhëhequr shtetin e pasur me naftë gjatë tri viteve të fundit, pasi e kishte marrë pushtetin nga vëllai i tij, Sheikh Sabah al-Ahmed al-Sabah, raporton televizioni BBC.
“Me pikëllim e dhimbje të thellë, ne mbajmë zi... për vdekjen e Sheikh Nawaf al-Ahmad al-Sabah-ut”- thuhet në një deklaratë të publikuar në televizionin shtetëror.
Sheikh Nawaf-i ishte bërë princ në vitin 2006, ndërsa pozitën e emirit e mori në vitin 2020.
Më parë, ai ishte edhe ministër i Mbrojtjes, kur Iraku e kishte pushtuar Kuvajtin më 1990, duke e nxitur nisjen e Luftës së Gjirit, ndërsa më vonë edhe si ministër i Punëve të Brendshme.
Princi i tanishëm i kurorës, Sheikh Mishal al-Ahmad al-Sabah, 83 vjeç, është në radhë për ta marrë detyrën e emirit, edhe pse analistët thonë se disa figura mund të dëshirojnë që të shohin një udhëheqës më të ri në pushtet.
Kuvajti ka rreth 4,8 milionë banorë – përfshirë 3,4 milionë punëtorë të huaj – dhe është në vendin e gjashtë në botë për rezervat e naftës. Ky vend është aleat i rëndësishëm i Shteteve të Bashkuara.