Vdes ikona e televizionit, Barbara Walters - NACIONALE

Vdes ikona e televizionit, Barbara Walters

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Barbara Walters, gazetarja dhe transmetuesja e lajmeve televizive, e njohur për shumë intervista historike e të guximshme, ka vdekur sot në moshën 93 vjeçare. Walters u bë e famshme për intervistat e saj me shumë sundimtarë, politikanë dhe njerëz nga bota e show-bizzit, të cilat i sollën asaj statusin e yllit.

Në vitin 1976, Walters iu bashkua ABC News, duke u bërë spikerja e parë grua në një program lajmesh në mbrëmje, shkruan BBC, përcjell Nacionale.

Bob Iger, CEO i The Walt Disney Company, e cila është kompania mëmë e ABC News, vlerësoi Waltersin si dikë që theu barrierat.

Barbara ishte një legjendë e vërtetë, një pioniere jo vetëm për gratë në gazetari, por edhe për vetë gazetarinë. Ajo ishte një gazetare e veçantë, e cila realizoi shumë nga intervistat më të rëndësishme të kohës sonë, nga krerët e shteteve deri te personazhet më të famshëm dhe ikonat e sportit. Pata kënaqësinë ta quaja Barbarën një kolege për më shumë se tre dekada, por më e rëndësishmja, munda ta quaja një mike të dashur. Ajo do të na mungojë të gjithëve në The Ëalt Disney Company dhe ne i dërgojmë ngushëllimet tona më të thella vajzës së saj, Jacqueline”, tha Iger në një deklaratë të premten.

Ajo u ngjit në radhët e industrisë së dominuar nga meshkujt për të bërë histori në vitin 1974, duke u bërë bashkë-prezantuesja e parë femër e një programi lajmesh në SHBA, në emisionin Today Show të mëngjesit të NBC.

Gjatë karrierës së saj të gjatë ajo intervistoi një listë të gjatë liderësh botërorë, duke përfshirë kryeministren e Mbretërisë së Bashkuar, Margaret Thatcher, Presidentin rus, Vladimir Putin, Presidentin Kuban, Fidel Castro si dhe presidentin egjiptian, Anwar Sadat dhe kryeministrin izraelit, Menachem Begin.

Ajo gjithashtu intervistoi presidentin sirian, Bashar al-Assad disa muaj pas një kryengritjeje publike që përfundimisht do të kthehej në luftë civile të vendit.

Homazhet sot kanë vërshuar për Walters.

Në një karrierë që zgjati pesë dekada, Walters fitoi 12 çmime "Emmy", 11 prej tyre kur ishte në ABC News.

Lajme të ngjashme