Vdekja misterioze e aleatit të Putinit, gjendet i vrarë bashkë me gruan dhe vajzën në banesën e tij
Trupat e pajetë të një bankieri të lartë dhe familjes së tij janë gjetur në apartamentin e tij në Moskë, pak kohë pasi banka u godit nga sanksionet perëndimore.
Vladislav Avayev, 51 vjeç, u gjet i vdekur së bashku me gruan e tij Yelena, 47 vjeç dhe vajzën e tij 13-vjeçare Maria në shtëpinë e tyre në kryeqytetin rus.
Avayev ishte më parë nënkryetar i Gazprombank, banka e tretë më e madhe e Rusisë dhe një nga kanalet kryesore për pagesat për naftën dhe gazin rus. Ndërsa në vazhdën e pushtimit rus të Ukrainës, kjo bankë është goditur me sanksione nga një numër vendesh perëndimore, duke përfshirë edhe Britaninë e Madhe muajin e kaluar.
Agjencia shtetërore ruse e medias TASS raportoi të hënën se trupat e tre personave, përfshirë vajzës së mitur, u gjetën në një ndërtesë apartamentesh në Universitetsky Prospekt, në jugperëndim të Moskës.
Zëdhënësja e policisë Yulia Ivanova tha për TASS se trupat u zbuluan nga vajza e madhe e Avayev, Anastasia, 26 vjeç. Sipas Anastasias, dera e banesës ishte e mbyllur nga brenda, ndërsa kur hyri në banesë bashkë me trupat e pajetë ishin edhe 13 armë të ndryshme.
Një burim nga forcat e rendit tha se në dorën e Avajevit kishte një armë dhe se ata besojnë se ishte një rast vrasje-vetëvrasjeje. Oficerët po ashtu kanë pretenduar se gruaja dhe vajza e Avajevit janë qëlluar para tij.
Avayev kishte punuar për Gazprombank për shumë vite përpara se të vendoste të largohej papritur për arsye të panjohura kohët e fundit. Analistja e Kremlinit Olga Lautman tha se Avajev më parë ka punuar edhe në administratën presidenciale të Putinit, si dhe në parlament, ose Duma. Ai ishte gjithashtu anëtar i bordit të besuar të Klubit Sportiv Qendror të organeve financiare dhe ekonomike të Rusisë.
E përveç punës së tij zyrtare, ai ishte edhe drejtor i përgjithshëm i kompanisë RTK, një firmë kërkimore dhe zhvillimore shkencore si dhe themelues i LLC Carbonics, një kompani ndërtimore.