Vdekja e Papa Françeksut: Çfarë ndodh tutje?
Vatikani njoftoi të hënën se Papa Françesku ka vdekur në mëngjesin e ditës së parë të javës në moshën 88-vjeçare. Çfarë ndodh tash e tutje?
Kujdestari i Papës, kardinali Kevin Farrell, e konfirmon zyrtarisht vdekjen e papës. Pastaj, ai e izolon banesën private të papës dhe e përgatit funeralin, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Kujdestari dhe tre asistentë vendosin se kur do të dërgohet kufoma e papës në Bazilikën e Shën Pjetrit për t’u parë. Ata gjithashtu sigurohen që “Unaza e Peshkatarit” e papës dhe vula e tij të thyhen që të mos mund të përdoren nga ndokush tjetër. Trupit nuk i bëhet autopsia.
Ritet e zisë zgjasin nëntë ditë, ndërsa për datën e funeralit dhe varrosjes vendoset nga kardinalët. Funerali mbahet zakonisht katër deri në gjashtë ditë pas vdekjes, në Sheshin e Shën Pjetrit. Françesku ka kërkuar që të trupi i tij të vendoset në një arkivol të thjeshtë të drurit.
Kolegji i Kardinalëve i mbikëqyr punët e përditshme gjatë periudhës kalimtare. Ata kanë kompetenca të kufizuara dhe një pjesë e madhe e administratës qendrore të Kishës Katolike ndalet së funksionuari.
Procesi për zgjedhjen e një pape të ri fillon mes 15 deri në 20 ditë pas vdekjes së papës së vjetër. Kardinalët, të cilët ngujohen në Vatikan dhe vendosin për ditën e saktë.
Të gjithë kardinalët nën moshën 80-vjeçare mund të marrin pjesë në votimin e fshehtë. Atyre u duhet shumica prej dy të tretave plus një votë për të zgjedhur një papë të ri, prandaj votimi mund të zgjasë disa runde të shpërndara në shumë ditë. Kur zgjedhja e papës së ri të përmbyllet, ai pyetet nëse e pranon postin dhe çfarë emri e dëshiron.
Bota merr vesh se papa i ri është zgjedhur, kur një zyrtar i djeg fletëvotimet me lëndë të posaçme kimike në mënyrë që tymi i bardhë të dalë nga oxhaku i kujdestarit. Ata përdorin lëndë të tjera kimike për të prodhuar tym të zi, i cili do të ishte shenjë se rezultati i votimit nuk ka sjellë papë të ri.
Udhëheqësi i Kolegjit të Kardinalëve del në ballkonin qendror të Basilikës së Shën Pjetrit për të njoftuar “Habemus Papam” (Kemi një papë). Papa i ri më pas shfaqet dhe ua jep bekimin turmës së njerëzve në shesh./Nacionale