Vazhduan për natën e dytë rresht luftimet më intensive në disa vjet në Tripoli të Libisë
Përleshjet më intensive në disa vjet vazhduan për natën e dytë rresht në Tripoli të Libisë. Ato zgjatën edhe të mërkurën në mëngjes, thanë dëshmitarët në kryeqytetin libian, pasi vrasja e një udhëheqësi të rëndësishëm militant të hënën e nxiti fillimin e luftimeve mes grupeve rivale.
Misioni i Kombeve të Bashkuara në Libi, UNSMIL, tha se është “thellësisht i alarmuar nga përshkallëzimi i dhunës në lagjet me popullis të dendur të Tripolit” dhe bëri thirrje urgjente për armëpushim, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Trazirat e reja në kryeqytetin libian mund ta konsolidojnë pushtetin e Abdulhamid al-Dbeibah-ut, kryeministër i Qeverisë së Unitetit Kombëtar dhe aleat i Turqisë.
Libia ka pasur pak stabilitet që nga viti 2011, kur përmes një kryengritjeje të mbështetur nga NATO-ja ishte rrëzuar autokrati me pushtet të gjatë, Muammar Gaddafi, dhe vendi u nda në vitin 2014 mes grupeve rivale lindore e perëndimore, edhe pse shpërthimi i luftimeve ishte ndërprerë me një armëpushim në vitin 2020.
Si eksportuese e rëndësishme e energjisë, Libia është edhe stacion i rëndësishëm për emigrantët që e synojnë Evropën dhe konflikti në këtë shtet ka tërhequr edhe fuqi të huaja, përfshirë Turqinë, Rusinë, Egjiptin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Qendrat kryesore të naftës ndodhen në pjesët jugore dhe lindore të Libisë, larg luftimeve të tanishme në Tripoli.
Përderisa në pjesën lindore të Libisë për një dekadë kanë qenë duke mbizotëruar komandanti Khalifa Haftar dhe Ushtria Kombëtare Libiane që drejtohet prej tij, kontrolli në Tripoli dhe në pjesën perëndimore të vendit është ndarë mes shumë grupeve të armatosura.
Kryeministri Dbeibah të martën dha urdhër për shpërbërjen e atyre që i quajti grupe të armatosura të parregullta.
Njoftimi erdhi pas vrasjes së udhëheqësit militant, Abdulghani Kikli, i njohur gjerësisht si Ghaniwa, dhe mposhtjes së papritur të grupit të tij nga grupe të lidhura me Dbeibah-n./Nacionale