Vazhdon vapa në Brazil, regjistrohet temperaturë rekorde - NACIONALE

Vazhdon vapa në Brazil, regjistrohet temperaturë rekorde

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Brazili e ka regjistruar temperaturën më të lartë ndonjëherë – 44,8 gradë Celsius – si pjesë e një vale të ashpër vape në shtetin më të madh të Amerikës së Jugut.

Rekordi u regjistrua të dielën në qytezën Araçuai, e cila shtrihet në shtetin juglindor Brazilian, Minas Gerais, raporton televizioni BBC.

Vapa e pashembullt thuhet se është pasojë e fenomenit natyror “El Ninjo” dhe e ndryshimeve klimatike. Parashikuesit thonë se një pjesë e vapës pritet të zbutet këtë javë.

Sipas Institutit Kombëtar të Meteorologjisë, vetëm tri kryeqytete shtetërore do të kenë temperaturë deri në 40 gradë, raporton televizioni CNN Brasil.

Agjencia qeveritare tha se rekordi prej 44,8 gradësh në Araçuai e theu rekordin e mëparshëm prej 44,7 gradësh, që ishte regjistruar në vitin 2005.

Vapa i ka nxitur autoritetet braziliane që të lëshojnë paralajmërime të kuqe për mbrojtjen e shëndetit një muaj para fillimit të verës në hemisferën jugore.

Konsumimi i energjisë ka shkuar në nivel rekord në kohën kur njerëzit po mundohen që t’i mbajnë të freskëta hapësirat e banimit.

Lajme të ngjashme