Vazhdon edhe pas 24 orëve zjarri nga sulmi ukrainas në depon e naftës në Rusi
Zjarrfikësit rusë të enjten ende ishin duke luftuar një zjarr që raportohet të ketë shpërthyer në një depo nafte afër një baze ajrore për bombardues strategjikë në rajonin e Volgës, më shumë se 24 orë pas një sulmi ukrainas me dronë.
“Nevojitet një sasi e caktuar e kohës për ta përfunduar procesin e fikjes. Situata është nën kontroll” – tha në rrjetin “Telegram” guvernatori Roman Busargin, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Gjendja e jashtëzakonshme ishte në fuqi në Engels, qytet me rreth 200 mijë banorë që shtrihet afro 730 kilometra në juglindje të Moskës, pasi flaka u përhap dhe dy zjarrfikës vdiqën gjatë përpjekjeve për ta shuar zjarrin.
🔥💥 The fire at the oil depot in Engels is still not extinguished.
— MAKS 24 🇺🇦👀 (@Maks_NAFO_FELLA) January 9, 2025
Local residents report that the fire is only getting worse. Two firefighters have already died, one in the hospital. pic.twitter.com/DEJkX3sVQk
Guvernatori rajonal tha se zjarri kishte shpërthyer në një zonë industriale, emrin e së cilës nuk e përmendi, pas një sulmi masiv me dronë. Ushtria ukrainase tha të mërkurën se ia kishte vënë flakën një depoje të naftës që shërben si bazë ajrore për bombarduesit rusë që mund të bartin koka bërthamore.
Qyteti Engels ndodhet qindra kilometra larg kufirit me Ukrainën. Në dhjetorin e vitit 2022, tre pjesëtarë të personelit të forcave ajrore ruse ishin vrarë, kur një dron ishte rrëzuar atje.
Edhe në raportimet e mediave ruse thuhet se zjarri ishte në një objekt të naftës. Në video e fotografi të publikuara në rrjete sociale shihej një zjarr i madh me tym të dendur në qiellin e natës.