Vazhdojnë zjarret në Turqi, preket edhe provinca historike e Çanakalasë
Turqia e vazhdoi luftën kundër zjarreve të hënën, sidomos në provincat perëndimore, Mugla, Çanakala e Tekirdag, si dhe në provincat jugore, Adana, Mersin dhe Hatay.
Zjarret shpërthyen në distriktin Ayavacik në Çanakala, në distriktin Malkara në Tekirdag, në distriktin Datca në Mugla, në distriktet Gunar e Mezitli në Mersin, në distriktin Karaisali në Adana dhe në distriktin Belen në Hatay, raporton agjencia “Anadolu”.
Guvernatori i provincës së Çanakalasë, Ilhami Aktash, tha se era e ka nxitur përhapjen e zjarrit, por shtoi se autoritetet mbeteshin të përkushtuara në luftën kundër flakës.
Në përpjekjet për ta kontrolluar zjarrin në Çanakala janë përfshirë gjashtë aeroplanë, 15 helikopterë, 109 spërkatëse uji, 14 pjesë të pajisjeve të rënda dhe 543 pjesëtarë të personelit.
Raportohet se zjarret në distriktet Ayvacik dhe Malkara po luftohen edhe nga ajri, edhe nga toka.
Një zjarr, që kishte filluar në një restorant në distriktin Datca dhe më vonë ishte përhapur në pyllin afër tij, u shua me sukses.
Një zjarr, që kishte shpërthyer në distriktin Gulnar, është vënë nën kontroll, ndërsa një tjetër në distriktin Mezitli është shuar.
Përpjekjet për shuarjen e zjarreve tash për tash janë të përqendruara në Hatay, Mersin dhe Çanakala.
Ministri i Bujqësisë dhe Pylltarisë, Ibrahim Yumakli, tha të dielën vonë se 16 nga 19 zjarret, që kishin shpërthyer gjatë ditës, ishin nën kontroll.
