Zjarre në malet e Zvicrës, urdhërohet evakuimi i banorëve në disa fshatra - NACIONALE

Zjarre në malet e Zvicrës, urdhërohet evakuimi i banorëve në disa fshatra

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Policia zvicerane dha urdhër për evakuimin e banorëve nga disa fshatra malore të hënën vonë për shkak të përhapjes së zjarreve në natyrë. Nuk qe menjëherë e qartë se sa njerëz janë prekur nga ky urdhër dhe nga kjo gjendje.

Rreth 200 zjarrfikës, ushtria, policia dhe partnerë të tjerë punuan edhe me ndihmën e helikopterëve për të luftuar kundër zjarrit në kantonin Valais deri pasdite, por ai nuk u ndal, raporton agjencia “Reuters”.

“Zjarri është duke u përhapur drejt Ried-Morel-Riederhorn-it”- thuhet në një deklaratë të policisë, ku shtohet se autoritetet do t’i evakuojnë banorët e fshatit Ried-Morel, afër qytezës Brig, që ndodhet afër kufirit me Italinë. Më vonë u njoftua se do të evakuohen edhe banorët e tri fshatrave të tjera dhe paralajmëroi për rënie gurësh.

Kompania “Air Zermatt”, që ka nën menaxhim katër helikopterë prej atyre që po përdoren në operacione, tha se përpjekjet për ta shuar zjarrin do të vazhdonin gjatë tërë natës. Policia lokale publikoi fotografi ku shihej një helikopter duke hedhur ujë mbi një zjarr në mal pasdite.

Zona jugore e Zvicrës është prekur nga vala e vapës mesdhetare, e cila e ka përfshirë Evropën Jugore. Sipas parashikimeve, temperaturat në kantonin Valais këtë javë pritet të arrijnë në mbi 30 gradë Celsius.

Lajme të ngjashme