Vazhdojnë zjarret në Spanjë, vdes një zjarrfikës vullnetar
Një zjarrfikës vullnetar vdiq nga djegiet e rënda dhe disa persona të tjerë u dërguan në spital nga dhjetëra zjarre në natyrë që po vazhdonin të përhapeshin të mërkurën në pjesë të ndryshme të Spanjës, të përkeqësuara nga era e fortë dhe vapa e madhe.
Së paku gjashtë zjarre të mëdha ishin ende jashtë kontrollit, sipas shërbimeve emergjente rajonale, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Situata mbetet serioze. Kujdesi ekstrem është thelbësor” – shkroi në rrjetin X kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez.
Nga zjarret në natyrë deri më tani janë djegur gati 99 mijë hektarë tokë në Spanjë këtë vit dhe vapa e madhe po e përkeqëson situatën. Një valë 10-ditore e vapës pritet të zgjasë deri të hënën, sipas agjencisë shtetërore të motit, AEMET, e cila parashikoi rrezik “ekstrem” për zjarre në natyrë të mërkurën.
“Ndodhemi në pikën më sfiduese të sezonit” – shkroi agjencia e motit në rrjetin X.
Burri që e humbi jetën ishte zjarrfikës vullnetar 35-vjeçar, i cili ishte munduar të ndërtonte pengesa kundër zjarrit afër qytezës Nogarejas, në rajonin Castile e Leon, ku u ngujua në flakë, thanë zyrtarët rajonalë.
Ai zjarr kishte dy fronte aktive që ende ishin jashtë kontrollit, ndërsa shërbimet e motit parashikojnë një ditë tjetër me erë të fortë e shtrëngatë.
Më shumë se 5.000 njerëz janë evakuuar në rajon dhe përpjekjet janë përqendruar te parandalimi i afrimit të zjarreve te qytezat e vogla.
Të hënën, një burrë tjetër e humbi jetën nga zjarri në një ahur kuajsh në periferi të Madridit. Zjarri arriti te disa shtëpi dhe ferma para se të frenohej./Nacionale