Vazhdojnë sulmet ruse në Ukrainë, raportohet për disa të vrarë
Zyrtarët ukrainas kanë raportuar për disa të vrarë nga sulmet më të reja ruse në pjesë të ndryshme të vendit. Thuhet se Rusia po sulmon edhe në një zonë të Ukrainës qendrore.
Valentyn Reznichenko, drejtor i administratës ushtarake në rajonin Dnipropetrovsk, tha se qyteti Kryvyi Rih, që shtrihet në pjesën qendrore të Ukrainës, tash është nën zjarr të vazhdueshëm të forcave ruse.
“Komunitetet në Zelenodolsk dhe Shyrokiv vuajnë më së shumti. Fatkeqësisht, gjashtë persona vdiqën atje, 179 shtëpi, dy shkolla, një çerdhe për fëmijë dhe një spital janë shkatërruar ose dëmtuar”, tha zyrtari ukrainas.
Sipas tij, fshatrat dhe qytezat përreth qytetit Kryvyi Rih janë të mbushura me municion thërrmues për shkak të bombardimeve dhe se atje ka probleme me furnizimin me gaz, rrymë dhe ujë, raporton televizioni “CNN”.
Ndërkohë në Kharkiv, pesë persona u vranë dhe 14 të tjerë u plagosën nga sulmet ruse, sipas drejtorit të administratës rajonale ushtarake, Oleh Syniehubov.
“Sot, armiku e sulmoi rajonin Kharkiv, sidomos vendbanimet në drejtimet veriore dhe verilindore”, tha ai, duke shtuar se nga sulmet u goditën ndërtesat e banimit në Zolochiv.
“Pesë shtëpi u shkatërruan. Armiku gjithashtu sulmoi sot në distriktin Chuhuiv”, tha zyrtari ukrainas gjatë një paraqitjeje në televizionin kombëtar ukrainas.
Ai shtoi se forcat ukrainase janë duke i mbajtur pozicionet e tyre në drejtimet e veriut dhe verilindjes.
Kur u pyet se pse ushtria ruse po e sulmon infrastrukturën civile, edhe pse nuk ka ballafaqime të dukshme mes ushtrive të të dyja palëve në rajonin Kharkiv për momentin, drejtori i administratës rajonale ushtarake tha se forcat ruse e kanë përqendruar vëmendjen te shkaktimi i terrorit ndaj popullsisë civile./Nacionale