Varroset burri nga Gaza, viktima e vetme e njohur e sulmit iranian ndaj Izraelit
Një burrë 38-vjeçar nga Gaza, viktima e vetme e njohur nga sulmi raketor i Iranit kundër Izraelit, u varros të mërkurën.
Sameh Khadr Hassan Al-Asali kishte qenë duke qëndruar në një kompleks të forcave palestineze të sigurisë në Bregun e pushtuar Perëndimor, kur u vra nga mbetjet e një rakete gjatë sulmit të së martës, për të cilën Izraeli tha se kryesisht u spraps nga sistemet e tij të mbrojtjes ajrore, raporton agjencia “Reuters”.
Personeli i forcave të sigurisë e barti trupin e mbështjellë me flamurin palestinez. Turma prej rreth 200 njerëzish që e përcollën kufomën përbëhej nga banorë të tjerë të Gazës që po qëndrojnë në Jericho dhe nga banorë lokalë.
Një pjesë e madhe e raketës ndodhej në tokë, aty ku kishte rënë, afër kompleksit të forcave të sigurisë.
Rreth 700 punëtorë nga Gaza kanë qenë duke qëndruar në Jericho, në Ultësirën e Jordanisë, që nga fillimi i luftës në Gaza para gati një viti.
Ndryshe nga izraelitët, të cilët u futën në strehimore kundër bombave pas aktivizimit të sirenave të alarmit në mbarë vendin, shumë palestinezë në Bregun Perëndimor dolën jashtë për t’i shikuar raketat dhe shpërthimet, përderisa ato po pengoheshin nga sistemi i mbrojtjes ajrore i Izraelit.
Në pamje të kamerave të sigurisë shihej një gyp i madh metalik duke rënë nga qielli mbi burrin që po ecte matanë rrugës, mësa duket duke e lënë të vdekur në vend.
Agjencia “Reuters” arriti që ta vërtetonte vendin ku ra raketa duke u mbështetur në shtrirjen e rrugës, ndërtesave, shtyllave dhe shenjave në tokë që lidheshin me pamjet satelitore të zonës.