Varrezat masive siriane e shpërfaqin “makinerinë e vdekjes” nën Assadin, thotë prokurori Rapp - NACIONALE

Varrezat masive siriane e shpërfaqin “makinerinë e vdekjes” nën Assadin, thotë prokurori Rapp

1 vit më parë

nga NACIONALE

Një prokuror ndërkombëtar për krime lufte tha të martën se dëshmitë që po dalin nga varrezat masive në Siri e kanë shpërfaqur “makinerinë e vdekjes” të udhëhequr nga shteti nën pushtetin e ish-presidentit Bashar al-Assad, në të cilat vlerësohet se më shumë se 100 mijë njerëz janë torturuar e vrarë nga viti 2013.

Duke folur pasi i vizitoi zonat e dy varrezave masive në qytezat Qutayfah dhe Najha afër Damaskut, ish-ambasadori amerikan pa portofol për krime lufte, Stephen Rapp, agjencisë së lajmeve “Reuters” i tha: “Ne qartazi kemi më shumë se 100 mijë njerëz që ishin zhdukur dhe torturuar deri në vdekje në këtë makineri.”

“Unë nuk kam shumë dyshim për këto lloje të numrave, duke e marrë parasysh atë që e kemi parë në këto varreza masive” – shtoi ai.

“Ne vërtet nuk kemi parë asgjë goxha si kjo që nga nazistët” – tha më tej prokurori Rapp, i cili i ka udhëhequr ndjekjet penale në tribunalet për krime lufte në Ruandë dhe Sierra Leone si dhe është duke punuar me shoqërinë civile siriane për t’i dokumentuar dëshmitë për krime lufte dhe po ofron ndihmë për t’u përgatitur për ndonjë gjykim eventual.

“Nga policia sekrete, që bëri njerëz të zhdukeshin nga rrugët dhe shtëpitë e tyre, te rojat e burgjeve dhe intervistuesit që i lanë ata të vdisnin urie e i torturuan deri në vdekje, deri te vozitësit e kamionëve dhe vozitësit e buldozerëve që i fshehën trupat e tyre, mijëra njerëz ishin duke punuar në këtë sistem të vrasjes” – shtoi ai.

“Po flasim për një sistem të terrorit shtetëror, i cili u bë makineri e vdekjes” – tha më tej prokurori Rapp.

Qindra mijëra sirianë vlerësohet se janë vrarë nga viti 2011, kur shtypja e protestave nga regjimi i Assadit u shndërrua në luftë civile të plotë.

Lajme të ngjashme