Vapë rekorde globale në shtator, shkencëtarët të shtangur
Temperaturat globale arritën rekord të ri në shtator me një dallim të madh, duke i shtangur shkencëtarët.
Shtatori më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë erdhi pas gushtit më të nxehtë dhe korrikut më të nxehtë. Korriku i këtij viti ishte muaji më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë. Temperaturat e larta kanë nxitur valë vape e zjarre në natyrë në pjesë të ndryshme të botës, raporton gazeta “The Guardian”.
Shtatori i këtij viti e theu rekordin e vapës për këtë muaj për 0,5 gradë Celsius, që është rritja më e madhe e temperaturës që është regjistruar ndonjëherë. Ky shtator ishte për rreth 1,8 gradë më i ngrohtë se shtatorët e periudhës para zhvillimit industrial. Dallimin e vërtetojnë të dhënat e shkencëtarëve evropianë e japonezë.
Vapa është rezultat i niveleve të larta të vazhdueshme të lirimit të dyoksidit të karbonit, të kombinuara me përkeqësimin e fenomenit më të madh natyror të klimës, “El Ninjo”.
Mika Rantanen, hulumtues i klimës në Institutin e Finlandës për Meteorologji, tha: “Ende po mundohem që të kuptoj se si një vit i vetëm mund të kërcejë kaq shumë në krahasim me vitet e kaluara.” Profesori Ed Hawkins nga Universiteti i Readingut në Britani tha se vapa që është parë këtë vit ishte “e jashtëzakonshme”.
Vapa shënoi nivele rekorde edhe brenda shumë shteteve, përfshirë Francën, Gjermaninë dhe Poloninë. Britania e regjistroi shtatorin më të nxehtë që është shënuar ndonjëherë, raportoi Zyra e Meteorologjisë, duke u mbështetur në të dhënat që datojnë nga viti 1884.
Në Australi, shkencëtarja e klimës dhe shkrimtarja Joelle Gergis tha: “Vëzhgimet e klimës së Australisë në shtator janë tmerruese. Numrat tregojnë se ku temperaturat maksimale ishin më të lartat që janë regjistruar ndonjëherë, me shumë zona për tri deri në pesë gradë më lart se mesatarja. Mungesa e reshjeve janë të përgatitura për thatësi. Vera do të jetë brutale.”
