Vapë ekstreme në Itali, temperatura shkon në gati 47 gradë në Sicili
Temperatura në Sicili, në jug të Italisë, shkoi në gati 47 gradë Celsius të mërkurën, në kohën kur pjesa jugore e Evropës është përfshirë nga një valë e ashpër vape.
Kulmi i vapës u regjistrua në zonën mes Mazara del Vallo-s, në provincën e Trapanit, dhe Sciacca-s, në provincën e Agrigento-s, sipas të dhënave të publikuara nga faqja “ilMeteo.it” dhe të raportuara nga agjencia italiane e lajmeve, “Ansa”, përcjell gazeta “The Guardian”.
Federata Siciliane e Spitaleve ka bërë për më shumë asistencë shtëpiake për personat e moshuar, sepse shumë prej tyre nuk mund të dalin nga shtëpia për shkak të vapës. Objektet shëndetësore kanë raportuar për rritje prej 20 deri në 25 për qind të pacientëve në repartet e urgjencës në mbarë vendin.
Vala e vapës në Sicili pritet që të krahasohet me rekordin e regjistruar pikërisht në këtë rajon më 2021 – 48,8 gradë – që gjithashtu është temperatura më e lartë që është regjistruar ndonjëherë në Evropë.
Më 17 korrik, Organizata Meteorologjike Botërore e Kombeve të Bashkuara njoftoi se temperatura prej 48,8 gradësh, e regjistruar në Syracuse të Sicilisë më 2021, është vërtetuar si rekordi më i lartë në Evropë.
“Një komision i ekspertëve e ka vërtetuar saktësinë e leximit të temperaturës, por ende nuk e ka publikuar raportin e plotë. Është e mundshme që ky rekord mund të thyhet në ditët e ardhshme, përderisa vala e vapës intensifikohet”- tha kjo organizatë.
