Vance thotë se ShBA-ja s’do të ndërhyjë në konfliktin Indi – Pakistan: S’është punë për ne
Nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara, JD Vance, ka thënë se vendi i tij nuk do të ndërhyjë në konfliktin mes Pakistanit dhe Indisë, duke i quajtur luftimet mes dy fuqive bërthamore “punë që në thelb nuk janë për ne”.
Zyrtari i lartë amerikan i bëri këto komente në një intervistë me televizionin “Fox Neës”, ku tha se Shtetet e Bashkuara do të mundohen që ta depërshkallëzojnë konfliktin, por nuk mund ta detyrojnë asnjërën palë që t’i ulë armët, raporton gazeta “The Guardian”.
“Ajo që mund ta bëjmë është që të mundohemi t’i inkurajojmë këta njerëz që ta depërshkallëzojnë situatën pak, por ne nuk do të përfshihemi në mes të luftës, që në thelb nuk është puna jonë dhe nuk ka të bëjë asgjë me aftësinë e Amerikës për ta kontrolluar atë” – tha nënpresidenti amerikan.
Sipas tij, pasi Shtetet e Bashkuara nuk mund ta detyrojnë asnjërën palë që t’i ulë armët, Uashingtoni “do të vazhdojë që ta ndjekë këtë gjë përmes kanaleve diplomatike”.
“Shpresa jonë dhe pritjet tona janë që kjo nuk do të rrëshqasë në një luftë më të gjerë rajonale ose, Zoti na ruajt, në një konflikt bërthamor. Tani për tani, ne nuk mendojmë se kjo do të ndodhë” – tha më tej Vance.
Komentet e tij përputhen me politikën e jashtme të presidentit Donald Trump, “Amerika e Para”, ku bëhet thirrje që Shtetet e Bashkuara të tërhiqen nga roli i ndërmjetësit në konflikte të huaja.