Valë e sulmeve ruse në perëndim të Ukrainës, tre të vrarë në Lutsk
Rusia ka kryer sulme të gjera ajrore në rajonin perëndimor ukrainas, Lviv, dhe në atë veriperëndimor, Volyn, duke vrarë të paktën tre persona dhe duke plagosur shumë të tjerë, sipas zyrtarëve ukrainas.
Tre persona u vranë dhe disa të tjerë u dërguan në spital në Lutsk, pasi një ndërmarrje biznesore u godit nga rusët, tha guvernatori i rajonit Volyn, Yuriy Pohulyaiko. Qendër administrative e këtij rajoni është qyteti Lutsk, raporton gazeta “The Guardian”.
Rajoni Volyn i Ukrainës kufizohet në perëndim me Poloninë, që është anëtare e NATO-s.
Nuk është raportuar për pasoja në njerëz nga sulmet ajrore të forcave ruse në rajonin perëndimor të Lvivit, sipas të dhënave preliminare.
Megjithatë, thuhet se mbi 100 shtëpi janë dëmtuar, 500 dritare janë thyer dhe një hapësirë lojërash në një çerdhe fëmijësh është shkatërruar.
“Shumë raketa u rrëzuan, por kishte edhe goditje në Lviv”- tha kryetari i qytetit, Andriy Sadovyi, duke shtuar se janë lëshuar urdhra për evakuim për të paktën një ndërtesë banimi që është djegur.
Deri në korrik, Lvivi, që shtrihet larg vijës së frontit, është kursyer nga shumica e sulmeve ajrore ruse. Megjithatë, muajin e kaluar, shtatë persona u vranë, kur një raketë goditi një ndërtesë banimi.
